Debat i ashpër në mbledhjen e BE; Salvini i drejtohet Xhafajt, flet edhe për ‘skllevër të rinj’. Ministri i Luksemburgut: Merde alors!

702
0

Debati i ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian në mbledhjen e organizuar në Vjenë të Austrisë ka degjenuar në fyerje. Në debatin për çështjen e refugjatëve është përfshirë ministri italian, Matteo Salvini dhe ministri i Luksemburgut, Jean Asselborn.

Fillimisht Salvini ka falenderuar homologun shqiptar, Fatmir Xhafaj, i pranishëm në mbledhje, për pranimin e 20 refugjatëve të shpëtuar në Mesdhe nga autoritetet italiane, duke kritikuar vendet e Bashkimit Evropian për pasivitetin e treguar.

“Falenderoj disa vende të tretë si Shqipëria, homologun tim si dhe autoritetet shqiptare që u treguan më të shpejtë e mjaft efikas në kërkesat e ndihmës ndaj Italisë, gjatë këtyre muajve të fundit, ndryshe nga shumë vende të tjera”, është shprehur ministri italian.

Luksemburgasi Asselborn e konsideroi emigracionin si një nevojë të Evropës për të luftuar plakjen e popullsisë, çka shkaktoi irrtimin e Salvinit, duke i quajtur emigrantët afrikanë ‘skllevër të rinj’.

“Dëgjova një koleg më parë të shprehej mbi nevojën e emigracionit pasi popullsia europiane po plaket, por unë kam një perspektivë krejt ndryshe. Unë jam në qeverinë italiane e paguhem nga qytetarët e mi për të parë se si të rinjtë tanë nisin të bëjnë fëmijë si një kohë më parë, e jo për të parë se si të rinjtë afrikanë vijnë e zëvendësojnë europianët që për arsye ekonomike nuk kanë më fëmijë. Ndoshta në Luksemburg e kanë këtë domosdoshmëri, në Itali ne kemi nevojë të bëjmë fëmijë e jo për skllevër të rinj që zëvendësojnë fëmijët që ne nuk i bëjmë dot më”, u përgjigj Salvini.

Asselborn u kundërpërgjigj duke i kujtuar Salvinit emigrantët italianë që kanë zgjedhur prej vitesh Luksemburgun për të jetuar.

“Bla bla bla.. në Luksemburg i dashur zotëri ne kemi me mijëra italianë që erdhën të punonin me ne si emigrantë, në mënyrë që ju në Itali të kishit të ardhura për fëmijët tuaj”, tha Asselborn, duke iu drejtuar në fund Salvinit me fjalët: “e dhjeve”(Merde alors).