Padiskutim që ky do të jetë një sukses i radhës për Bes Kallakun, por edhe aktorët e tjerë që ai do të ketë në krah. Ai është një nga aktorët më të ndjekur në Shqipëri, me një numër të madh fansash në rrjetet sociale. Këtë herë do ta shohim si autor dhe aktor të “B.E Caffe”, rubrika më e re në programin “E Diela Shqiptare” e Ardit Gjebreas në Tv Klan.
Sikurse e dimë, kjo rubrikë do të ketë protagonistë tre aktorë shumë të dashur për publikun shqiptar. Bes Kallaku, Erion Isai dhe Olsi Bylyku do të sjellin me humorin e tyre batuta dhe buzëqeshje në shtëpitë e shqiptarëve.
Në një intervistë për tvklan.al, Bes Kallaku na rrëfeu detajet sesi do të vijë kjo rubrikë, a do të jenë aktorët vetëm në studio, apo do interpretojnë dhe jashtë saj.
Çdo të diel në Tv Klan do të jesh në shtëpitë e shqiptarëve me një emision humori, në një prej programeve më të dashur për audiencën tek e “E Diela Shqiptare” të Ardit Gjebreas. Cili do të jetë roli yt dhe si është konceptuar të vijë kjo rubrikë.
Brenda të “Të Dielës Shqiptare” ne do të kemi hapësirën tonë në “B.E Caffe”. Do jemi të tre, së bashku me Erionin edhe Olsin, në skenë. Me të ftuar, me surpriza edhe me një ritëm shumë alegro për të dhënë një spektakël brenda spektaklit. Nuk kam rol të veçantë, por jemi të tre të veçantë bashkë.
Do jeni vetëm në studio apo do dilni dhe në terren me video humoristike ?
Nuk do qëndrojmë besnik të studios, do jemi edhe exterier, do kemi filma të shkurtër. Do kemi jetë…
Ju do të keni përkrah Erionin dhe Olsin, dy personazhe të dashur për publikun, duke formuar një treshe që do i ngjasonte tre musketierëve të humorit? Kush do jetë D’Ardanjani? ☺☺
Në këtë rast D’Ardanjani nuk do jetë më i riu nga ne, por ai që ka më tepër eksperiencë edhe moshë. Do jetë dikush tjetër D’Ardanjani. Nuk ka mësuar ai nga ne, por ne prej tij.☺
Si mund të na e përshkruani eksperiencën e veçantë në “Këngën Magjike” përkrah Ardit Gjebreas?
Ka qenë një nga eksperiencat më të rralla, e më të veçanta. Diçka që na nxori jashtë guaskës së personazheve. Diçka që e kishim kërkuar më përpara, edhe Arditi na e besoi. Pati rezultat besoj, sepse falë eksperiencës tonë edhe besimit të Arditit, doli ajo që dëshironim të dy palët.
Kthehemi sërish te rubrika “B.E Caffe”. A ka Besi një rol që do ta mbajë çdo puntatë, apo çdo javë do të vijë me një personazh të ri?
Jemi të prirur vetëm për prurje të reja, për frymë të re. Në muajt Shkurt, Mars, unë dhe Erioni kemi punuar në Itali në krah të Giancarlo Bozzo, autorit të spektaklit më të madh të humorit atje, Zelig. Kemi punuar 2 muaj pas skene për të marrë eksperiencën e duhur në ngritjen e një strukture dhe programi komik. Kryesisht të spektaklit, gjë e cila na shërbeu të krijojmë vetë diçka dhe jo ta marrim të gatshme.
Faleminderit. Zoti ju rujt. Shihemi së shpejti edhe urojmë t’jua kthejmë pritshmërinë./tvklan.al