(Intervistë) Lira Gjika: Prindër, çojini fëmijët në çerdhe/kopsht! Kështu i ndihmoni të zhvillohen!

1357
0

Me fillimin e vitit të ri shkollor, fëmijët janë tema kryesore e diskutimeve dhe data 1 shtator ka qenë dita e nisjes për një pjesë të madhe të  kopshteve dhe çerdheve. Të gjithë prindërit, sidomos ata që e përjetojnë për herë të parë këtë eksperiencë, kanë shumë pyetje dhe interes në lidhje me ambientin, kurrikulat dhe gjithçka që fëmija i tyre do të përjetojë çdo ditë në kopsht apo çerdhe. Në këtë intervistë interesante, pediatrja dhe psikologia Lira Gjika u është përgjigjur disa prej pyetjeve që shumë nëna aktualisht kanë.

  1. Cila është mosha më e mirë kur fëmijët duhet të fillojnë kopshtin/çerdhen? Pse?

-Koha më e përshtatshme për të çuar fëmijët në kopshte dhe çerdhe nis në moshën 18 muajsh ose 2 vjeç. Kjo  pasi në këtë moshë ndërtohen mekanizmat trunorë, që në të ardhmen do të mundësojnë ose jo zhvillimin gjuhësor, fjalën dhe mendimin në nivele ose jo cilësore. Ajo që prindërit duhet të kuptojnë është se me fëmijët duhet folur që sapo ata lindin në mënyrë ata të mësojnë të njohin fjalët, tonalitetin e zërit dhe mbi të gjitha të njohin dhe emërtojnë emocionet e tyre. Dhe që ky proces të realizohet në mënyrë sa më cilësore, specialistët rekomandojnë që fëmijët të çohen në kopshte, si vende të specializuara për të nxitur psikën e fëmijës të zhvillohet në mënyrë sa më aktive. Sipas neuroshkencëtarëve, truri i fëmijës deri në moshën 2 vjeç ka periudhën më intensive të zhvillimit, pas kësaj moshe proceset fillojnë dhe reduktohen. Në traditën tonë, në vitin e parë të jetës së fëmijës, të rriturit i preokupon më tepër ushqimi dhe gjumi sesa problemet e zhvillimit të trurit të fëmijës. Madje kemi edhe shprehje si “është një engjëll, pi gji dhe fle”. Është e rëndësishme që fëmija të rritet në një ambient të pasur me informacion dhe veprime nxitëse, si lojëra me ujë, lojëra me drita ngjyra-ngjyra, lexime të thjeshta, mësimi i këngëve për fëmijë, si dhe vizatimi që fëmijët e pëlqejnë dhe e përdorin aq shumë. Mbi të gjitha, trajtimi i fëmijës, si njeri dhe jo si një i vogël,  është shumë i rëndësishëm. Çerdhet dhe kopshtet i mundësojnë fëmijës kushtet optimale për të mësuar nëpërmjet lojës. Loja është kushti kryesor i të vegjëlve të gjitarëve që të mund të mbijetojnë. Të vegjlit që nuk luajnë nuk arrijnë të zhvillojnë reflekset e duhura, që duhen për të mbijetuar në natyrë. Loja është fenomen në natyrë. Njeriu e ka zhvilluar këtë veti të natyrës duke e pasuruar dhe vënë në dispozicion të elementit të tij autentik, që është fjala dhe kreativiteti. Në kopsht, fëmija, nëpërmjet dialogut me edukatorët dhe bashkëmoshatarët, fillon të zhvillojë mekanizmat gjuhësorë dhe të organizojë emocionet e tij si dhe, nëpërmjet metodave didaktike, fuqizon inteligjencën. Periudha e fëmijërisë është periudha kur fëmija ndërton “themelet e psikës” së tij. Sa më të kujdesshëm të tregohen të rriturit dhe ta ndihmojnë fëmijën që ta pasurojë inteligjencën dhe botën e tij shpirtërore, aq më të sigurt do ta ketë të ardhmen si i rritur dhe ajo që është më kryesorja, në periudhën e adoleshencës nuk do të jetë aq problematik nëse fëmijëria do të ketë qenë e pasur me informacione e lojëra me të rriturin. Për fat të keq, në mentalitetin tonë është që fëmijët duhet të luajnë vetë, mjafton të kenë lodra sa më shumë. Kjo nuk është e vërtetë. Fëmija nuk mund të luajë i vetëm. Ai ka nevojë për prezencën e të rriturit që ta nxisë apo ta ndjekë dhe të jetë dëshmitar edhe i asaj që fëmija demonstron nëpërmjet lojës. Ka raste kur fëmija nuk di më të vazhdojë të luajë, prandaj duhet ndërhyrja e të rriturit. Vajtja në kopsht duhet të realizojë pikërisht këtë gjë, që të rriturit profesionistë të ndihmojnë fëmijën të luajë, të shprehë dhe njohë emocionet e rregullat për veten dhe në raport me tjetrin. Gjithashtu të pranojë moshatarin, pra të zhvillojë anën sociale që nëpërmjet tjetrit të njohë kufijtë e vetes dhe etikën e komunikimit.

 

  1. A jeni dakord me kurrikulat aktuale që zbatohen në kopshte?

-Patjetër që jam dakord, por do të doja që të pasuroheshin vazhdimisht në bazë të një studimi kompleks, duke marrë në konsideratë kërkesat e kohës dhe tabanin tonë kulturor. Pra, nëpërmjet modeleve më të spikatura të ndërtojmë modelin e vendit.

  1. Cilat janë disa nga aktivitetet apo mësimet që ju sugjeroni se duhen përdorur më shumë gjatë orarit në kopsht?

-Gjuha është shumë e rëndësishme për fëmijën. Edukatorët duhet të flasin me gjuhë letrare dhe të kenë fjalor të pasur. Janë fjalët që krijojnë mendimin, prandaj duhet t’u mësojmë fëmijëve fjalën sa më saktë dhe ata, duke e dëgjuar vazhdimisht njëlloj, do të mund ta mësojnë dhe kuptojnë drejt. Natyrisht që fëmija do të kërkojë kohën e tij, njëlloj si i rrituri kur mëson një gjuhë tjetër. Edhe ai nuk e realizon me një të dëgjuar. Psikika, për fat, nuk është aq e shpejtë sa njerëzit dëshirojnë, i duhet “pak” kohë. Nuk duhet të përdoren vjershat. Të zhvillohet më shumë dialogu dhe të nxitet e folura me radhë. Kur flet njëri të tjerët dëgjojnë. Madje edhe edukatorja duhet të dëgjojë deri në fund apo ta nxitë fëmijën që ta shprehë deri në fund mendimin apo atë që kërkon, tregon. Është shumë e rëndësishme që fëmija të jetë i dëgjuar, pra i rrituri të dëgjojë fjalën e tij. Kjo sjellje e të rriturit ndikon direkt në identitetin e fëmijës. Identiteti ndërtohet pikërisht sa dhe si të njeh tjetri. Në fëmijëri, të folurit në emër të fëmijës është një tjetër përgjegjësi, që të rriturit në përgjithësi dhe edukatorët në veçanti nuk duhet ta neglizhojnë. Kur i rrituri i drejtohet me emër fëmija kupton që nuk e kanë harruar, ndërsa të folurit të fëmijës me përemër shton pasigurinë dhe ankthin e harresës. Fjala është ajo që prodhon mendimin. Gjithashtu duhet të kultivojmë vullnetin te fëmija që ai ta mbarojë deri në fund lojën apo vizatimin, t’i plotësojë të gjitha elementet.

  1. Mësimdhënia dhe argëtimi, si duhet të menaxhohen për të pasur impaktin e duhur mbi fëmijën?

-Nuk ka argëtim pa edukim dhe e anasjella. Nëse mësimet në këtë moshë nuk janë të këndshme që të ngjallin kuriozitetin dhe fantazinë e fëmijës, ai humbet interesin dhe fillon të lëvizë apo të ngacmojë të tjerët.

  1. Ku mendon se çalojnë çerdhet/kopshtet në Shqipëri?

-Nuk çalojnë kopshtet apo çerdhet, por njerëzit. Ende vazhdojmë të mos i japim rëndësinë e duhur edukimit. Si pasojë e keqedukimit, shumë fëmijë kur rriten përballen me situata që i çojnë në gabime, si braktisja e shkollës.

  1. Si ndikon te fëmijët mësimi i gjuhëve të huaja në kopsht?

-Mësimi i gjuhës së huaj është diçka shumë e mirë. Në Shqipëri po aplikohet dhe kjo i bën shumë mirë fëmijës, sidomos nëse ju vetë ia bëni të duket interesante. Kjo mënyrë edukimi i bën më inteligjentë fëmijët dhe i bën shumë mirë trurit. Ajo që është e rëndësishme është teknika që njerëzit përdorin.

  1. Një këshillë për të gjitha nënat që e përjetojnë me stres futjen e fëmijës për herë të parë në kopsht/çerdhe?

-Të mos kenë frikë. Të mos i veshin trashë fëmijët. T’u rrëfejnë fëmijëve që edhe ato kanë shkuar në kopsht dhe po e mbajtën mend emrin e edukatores tua tregojnë. Fëmijët kur shkojnë në kopsht i kap frika se pse mami i çon në këtë vend apo pse nuk i mban në shtëpi? Prandaj nëna duhet t’i tregojë që edhe ajo dhe babi kanë qenë në kopsht, pasi kështu rritet njeriu: shkojmë në kopsht, më pas në shkollë dhe më pas në punë. /Blitz.al/