Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga projekti i Unazës së Madhe të Tiranës, nga zgjatimi i Lanës drejt Shkozës.
“Me këtë shfaqje të projektit të Unazës së Madhe lindore të Tiranës nga zgjatimi i Lanës drejt Shkozës, për të kaluar deri në Farkë, ku bashkohet me segmentin e përfunduar që të çon në kryqëzimin e hyrjes së autostradës Tiranë-Elbasan (aks me standardet e kategorisë A urbane, përfshirë veprat e artit, ura, mbikalime, nënkalime, kryqëzime), duke ju informuar se kontratat mbyllen e puna nis këtë vjeshte, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar Rama.
Por një qytetar i rebeluar i shkruan kreut të qeverisë se u janë shkatërruar makinat, madje i thotë se “ti do dinamitin kur të kalosh tek ura”.
“O lali po ke ajo ura Shkozës kalo vetë përditë, nuk të vjen gjynah që i prishen gomat benzit?? Apo ça t’vij keq me lekët e deleve i rregullo prapë. Ty është për t’vonë dinamit që sa t’kalosh ke ura, brom”, shkruan një qytetar.
Këtij mesazhi Rama i është përgjigjur me ironi, duke thënë se rruga po bëhet.
“Faleminderit për bombën dhe rëndësi ka që të qeshësh ti e të të bëhet shëndet, por pikërisht aty tek ura e Shkozës po punohet aktualisht, sikundër do të behet edhe integrimi i gjithë asaj zone në aksin e Unazës së Madhe, kështu që ndërkohe që ti gajasesh me ato që thua vetë, unë po vazhdoj punën edhe për ty.
Ndërkohë një këshillë në vesh, si udhëtar i të njëjtës rrugë: Mos i thuaj popullit dele se kjo nuk të bën ujk, po veshëgjatë”, shkruan Rama