Është kthyer në një vend të shkretuar e gjithë zona e Atikës e cila u përfshi nga flakët një ditë më parë, rreth orëve të pasdites së ditës së hënë.
Televizioni grek “Alpha” ka sjellë një përmbledhje të kronikave të djeshme, teksa më shumë se 3 gazetarë ishin në vendngjarje, gjatë momentit kur sapo kishin shpërthyer flakët.
Pamjet janë shumë të rënda, një situatë tragjike, ndërsa shihet sesi zjarri përfshinë çdo gjë.
Teksa një nga gazetarët ka qenë duke transmetuar live, në një nga zonat që ishte më e rrezikshme pasi flakët vazhdonin të përhapeshin me shpejtësi, shihet duke vrapuar së bashku me disa persona të tjerë, por edhe zjarrfikës të cilët, edhe pse tentonin që të shuanin flakët, ishte e pamundur.
Nga ana tjetër, shihen dy autobusë të cilët kishin mbërritur në vendngjarje për të marrë njerëzit dhe për t’i dërguar në një vend të sigurtë, që detyrohen të kthehen pas, pasi flakët bëhen të rrezikshme dhe për ta.
Më poshtë mund të shihni tmerrin që kanë përjetuar ditën e djeshme këta persona, ndërsa sot raportohet se numri i viktimave i ka kaluar 60, mes tyre edhe 3 shqiptarë.
Gazetarja ka raportuar se një ndër skenat më të tmerrshme ishte kur kishin gjetur dy gra, të cilat ishin djegur me fëmijët e tyre pranë vetes, të shtrënguar, njëra me dy fëmijë dhe tjetra me tre.
Zjarrfikësit janë ende duke punuar për neutralizimin e çdo vatre, ndërsa vazhdojnë të kërkojnë në çdo makinë të shkrumbuar për trupa të djegur, ku vetëm pak minuta më parë raportohet se janë gjetur edhe dy trupa, një i moshuar dhe një grua e cila thuhet se ka qenë shërbyesja e tij, të dy të djegur brenda një makine.
Ndërsa forca të shumta të policisë, mjekë e persona të tjerë, janë duke transportuar të gjithë të lënduarit dhe të mbijetuarit për t’u dhënë ndihmën e nevojshme.
Ende ka shumë persona të cilët janë shpallur të humbur.