Shuhet aktori i madh i humorit, Fadil Hasa

530
0

Ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare aktori i mirënjohur i humorit shqiptar, Fadil Hasa. Aktori durrasak ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të hëne. Ai vuante prej vitesh nga sëmundja e rëndë e kancerit në mushkëri. Nesër, në orën 10:00 do të bëhen homazhe në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Fadil Hasa lindi në Durrës me 8 prill 1940. Rolet e tij kanë shenjuar historinë e humorit në Shqipëri, atij humori të pastër, i cili të bën të qeshësh me gjithë shpirt. Aktori i mirënjohur i humorit Fadil Hasa, ka sjellë me dhjetëra personazhe për të cilat ka marrë shumë vlerësime nga publiku.

Në vitin 1974, aktori Fadil Hasa hyn në Estradën e Durrësit si një aktor profesionist. Pjesa “Dajrja”, krah kolegut Muharrem Hoxha, mbetet e paharruar, e po kështu edhe të tjera pjesë, si “Sheqeri”, “Tekniku i lavatriçes”, apo copëza humori, të cilat shfaqeshin për natën e fundvitit në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, mbeten edhe sot, si perla të humorit shqiptar.

Ka luajtur edhe në filma si Kronikë provinciale (2009), Mao Ce Dun (2007) roli i Hekuran Romalinit dhe Zëvendësi i grave (1987) roli i Shabanit.

Në edicionin e 13 të Festivalit Mbarëkombëtar të filmit, aktorit Fadil Hasa ju dha çmimi i Aktorit më të Mirë, për rolin e luajtur në filmin “Mao Ce Dun”.

Aktori mban titullin Artist i Merituar.