“Air Albania” fluturon për herë të parë

1073
0

“Air Albania”, kompania shqiptare e fluturimeve, pritet të fillojë transportin e pasagjerëve nga Tirana drejt destinacioneve kryesore në Europë në fund të muajit Qershor.

Edhe pse stafi drejtues i “Air Albania”, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare, janë duke finalizuar përgatitjet e fundit përpara se avionët të nisin fluturimin, Tv Klan ka mësuar se fillimisht, “Air Albania” do të fluturojë drejtë Romës, Stambollit dhe Londrës, për t’u pasuar nga një program akoma më i plotë, kryesisht me destinacion kryeqytetet europiane më të kërkuara nga pasagjerët.

Brukseli, Athina, Milano, Mynihu, Barcelona e shumë destinacione të tjera nuk do të vonojnë të jenë pjesë e fluturimeve të “Air Albania”.

Por surpriza do të vijë në muajt e fundit të vitit, kur avionët transoqeanikë të lidhin me një fluturim të drejtpërdrejtë Tiranën me Nju Jorkun.

Filozofia e “Air Albania” është kombinimi i biletave ekonomike me çmimet tejet konkurruese në treg, me klasin e biznesit që pritet të jetë i standardeve tepër të larta.

Në të gjitha fluturimet e “Air Albania”, pavarësisht klasit të biletës, do të ofrohet falas ushqimi i ngrohtë dhe nuk do të mungojnë pije freskuese apo alkoolike.

Teksa ekuipazhi i shërbimit të Air Albania është duke u trajnuar, burime nga kompania japin detaje edhe për flotën e avionëve, të cilët do të gjithnjë “Airbus 320” për fluturimet brenda Europës dhe “Airbus 330” për fluturimet drejt Amerikës.

E ndërsa mosha e avionëve që fluturojnë sot nga Shqipëria është 18.5 vjeçarë, avionët e “Air Albania” do të jenë të gjithë jo më shumë se 10-vjeçarë duke e bërë kompaninë e fluturimit shqiptar jo vetëm më modernen në Ballkan, por edhe me një nga flotat më të reja në Europë./Tv Klan