Greqi, 2 ndryshime të rëndësishme në projektligjin e ri për emigracionin. Leje qëndrimi për..

744
0

Siç ju kemi vënë në dijeni edhe më herët, qeveria greke ka përgatitur disa dispozita të reja për Kodin e Emigracionit. Disa nga këto dispozita janë përmirësuese, disa të tjera “flakin” mijëra emigrantë dhe fëmijë të tyre jashtë procesit të të qenit i ligjshëm në Greqi.

Në një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të administratës publike, rendit publik dhe drejtësisë, që u zhvillua të premten, paraqitën shqetësimet dhe propozimet e tyre edhe organizata që përfaqësojnë emigrantët në Greqi.

Mes tyre, organizata “Arogji-Përkrahja”, në emër të së cilës folën kryetari Fatos Malaj dhe juristja Emira Zaimi.

Propozimet që ata paraqitën në mënyrë të argumentuar ishin gjashtë:

1. Në asnjë rast të mos shfuqizohet neni i lejes për arsye të jashtëzakonshme që u jep mundësinë atyre që kishin dikur një leje qëndrimi, të pajisen sërish me leje qëndrimi.

2. Të mos shfuqizohet neni që u ofron mundësinë atyre që erdhën në Greqi me vizë para tre vjetësh, të aplikojnë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme.

3. Në asnjë rast të mos shqyrtohen aplikimet për leje për arsye të jashtëzakonshme që ndodhen aktualisht pranë shërbimeve, me dispozitat e reja nëse këto janë më të këqija,. Kjo të bëhet vetëm në rast se dispozitat janë më favorizuese.

4. Të hiqet dëshmia e qëndrimit në Greqi me dokumente shtetërore, përderisa një emigrant i paligjshëm nuk mund të kryejë veprime me shtetin dhe le të mjaftojë vetëm qëndrimi shtatëvjeçar në Greqi, ose të pranohen edhe dokumentet private.

5. T’u jepet mundësia fëmijve të brezit të dytë që u kthyen në atdheun e tyre si të mitur dhe pa miratimin e tyre, të mundin të rikthehen në legjitimitet, pa marrë parasysh nëse kanë munguar nga Greqia. Por mjafton të kenë lindur në Greqi dhe të kenë ndjekur këtu shkollën.

6. Të shndërrohen lejet dhjetëvjeçare në leje rezidenti afatgjatë (pesëvjeçare).

Dy propozimet që u pranuan

Si na njoftoi zoti Fatos Malaj, “organizata Arogji-Përkrahja u informua nga instancat kompetente se nga propozimet që paraqitëm në komisionin parlamentar, janë pranuar dy prej tyre:

1. Aplikimet për leje të jashtëzakonshme do të shqyrtohen në bazë të ligjit të mëparshëm, domethënë, nuk do të kërkohen dokumente shtetërorë për të vërtetuar periudhën e qëndrimit në Greqi.

2. Fëmijtë që janë larguar nga Greqia me prindërit e tyre, por kanë kryer këtu shumë vite shkollë, do të mund të aplikojnë për leje qëndrimi, pavarësisht se mungojnë nga Greqia më shumë se dy vjet. Kjo gjë deri më sot nuk lejohej”.

“Organizata Arogji-Përkrahja e konsideron si shumë pozitiv këtë zhvillim dhe pret që edhe propozimet e tjera të pranohen në interes të emigrantëve”, komentoi Fatos Malaj.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se propozimi për fëmijët e larguar nga Greqi, është paraqitur edhe nga Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, e cila thotë se asistoi në komisionin Parlamentar si pjesë e Forumit të Emigrantëve.

Në kërkesën e formuluar nga Federata thuhet shprehimisht: “Të ofrohet mundësia të aplikojnë për këtë leje qëndrimi fëmijët që kanë lindur dhe studiuar në Greqi, të cilët për arsye të ndryshme u larguan përkohësisht në vendin e origjinës”.

Federata gjithashtu ka kërkuar edhe uljen e tarifave për lejet e qëndrimit, duke vënë në dukje se vlera është tepër e lartë, ndërsa thekson që “nuk jemi të sigurt se këto të ardhura përdoren vërtet në favor të emigrantëve. Për këtë arsye dhe duke marrë shkas nga dispozita e referuar, propozojmë ulje drastike të shumave të kërkuara për leje qëndrimi”, thuhet në propozimin e Federatës.

Gjithsesi, prezantimi i këtyre organizmave qoftë dhe në mënyrë të shkëputur nga njëra tjetra, ia vlen të përgëzohet dhe të inkurajohet nga të gjithë./tribunanewws/shqiptarinet/