Me ndryshimet në ligjin grek për Kodin e Emigracionit, tashmë emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, do të kenë disa lehtësira lidhur me dokumentacionin, lejet e qëndrimit dhe pagesat që duhet të kryejnë.
Disa ditë më parë, organizata “Arogji-Përkrahja” paraqiti disa propozime në seancën dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Administratës Publike, Rendit Publik dhe Drejtësisë.
Gjatë kësaj seance, përfaqësuesit e emigrantëve shqiptarë në shtetin helen parashtruan anët pozitive dhe negative të këtij projektligji. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në Ministrinë e Emigracionit dhe drejtues i organizatës së emigrantëve “Arogji – Përkrahja” tregon propozimet që janë pranuar deri më tani.
Ai thekson se aplikimet për leje të jashtëzakonshme do të shqyrtohen në bazë të ligjit të mëparshëm, domethënë, nuk do të kërkohen dokumente shtetërorë për të vërtetuar periudhën e qëndrimit në Greqi.
Ndërkohë është pranuar edhe propozimi që fëmijët, të cilët janë larguar nga Greqia me prindërit e tyre, por kanë kryer këtu shumë vite shkollë (mbi 6), do të mund të aplikojnë për leje qëndrimi, pavarësisht se mungojnë nga Greqia më shumë se dy vjet.
Malaj bën me dije se një ndër propozimet që u pranua lidhet me pagesën e taksës së leje qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme e cila para ishte 300 euro për 2 vite, ndërsa tashmë do të jetë 300 euro për 3 vjet.
Ju morët pjesë në seancën dëgjimore në komisionin parlamentar grek. Çfarë paraqitët gjatë kësaj seance?
Në emër të organizatës “Arogji-Përkrahja”, e cila mbështet emigrantët shqiptarë në Greqi, ne paraqitëm në parlamentin grek, në mënyrë të përmbledhur një vlerësim për projektligjin, ku nxorëm në pah anët pozitive, si dhe shpjeguam në mënyrë të argumentuar anët negative të tij.
Gjithashtu, paraqitëm edhe disa propozime, me shpresën se do të përfshihen në projektligj.
Më konkretisht, cilat ishin disa nga pikat që u diskutuan në mbështetje të emigrantëve shqiptarë në Greqi?
Ne kërkuam që në asnjë rast të mos shfuqizohet neni i lejes për arsye të jashtëzakonshme që u jep mundësinë atyre që kishin dikur një leje qëndrimi, të pajisen sërish me leje qëndrimi.
Gjithashtu, kërkuam që të mos shfuqizohet neni që u ofron mundësinë atyre që erdhën në Greqi me vizë para tre vjetësh, të aplikojnë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme si dhe kërkuam që në asnjë rast të mos shqyrtohen aplikimet për leje për arsye të jashtëzakonshme që ndodhen aktualisht pranë shërbimeve, me dispozitat e reja nëse këto janë më të këqija e kjo të bëhej vetëm në rast se dispozitat janë më favorizuese.
Rrjedhimisht, shfuqizohen këto dy kategori dhe mundësinë për të aplikuar e kanë ata që jetojnë prej të paktën shtatë vjetësh në Greqi, por me kusht që të kenë dokumente zyrtare nga institucionet shtetërore, ndërsa pranoheshin edhe dokumente nga institucione private (remitanca nga bankat, analiza mjekësore, etj.).
Ky fakt do të kishte si rezultat që të mos mundin të aplikojnë për leje qëndrimi disa mijëra emigrantë.
Po në lidhje me dokumentacionin që duhet të paraqesin emigrantët për të vërtetuar qëndrimin në Greqi, a kërkuat ndonjë lehtësim?
Normalisht që po! Gjatë seancës dëgjimore ne kërkuam që të hiqet dëshmia e qëndrimit në Greqi me dokumente shtetërore, përderisa një emigrant i paligjshëm nuk mund të kryejë veprime me shtetin dhe të mjaftojë vetëm qëndrimi shtatëvjeçar në Greqi, ose të pranohen edhe dokumentet private.
Gjithashtu, vlen të theksoj edhe një kërkesë tjetër që konsiston në dhënien e mundësisë të gjithë fëmijëve të brezit të dytë që u kthyen në atdheun e tyre si të mitur dhe pa miratimin e tyre, të mundin të rikthehen në legjitimitet, pa marrë parasysh nëse kanë munguar nga Greqia.
Por mjafton të kenë lindur në Greqi dhe të kenë ndjekur këtu shkollën. Më tej u kërkua që të shndërrohen lejet dhjetëvjeçare në leje rezidenti afatgjatë (pesëvjeçare).
Cilat janë disa nga anët pozitive të këtij projektligji?
Leja e re e qëndrimit që do të nxirret në bazë të dispozitave të reja, do të ketë vlefshmëri për tre vjet dhe do të kushtojë 300 euro, ndërsa e njëjta leje para vlente për dy vjet dhe kushtonte po 300 euro.
Një tjetër risi pozitive e projektligjit është se barazon institucionin e martesës me institucionin e bashkëjetesës së provuar. Domethënë një çift që është i martuar konsiderohet se ka të njëjtat të drejta e detyrime edhe në të drejtën e emigracionit, me një çift që ka hartuar kontratë bashkëjetese.
Në fund, një tjetër anë pozitive, është se u zgjidh një problem serioz për shumë prindërit që nuk kanë asnjë dokument të qëndrimit të ligjshëm, përderisa tashmë do t’u ofrohet mundësia që të mund të regjistrojnë fëmijët e lindur në Greqi në gjendjen civile greke, gjë që deri tani nuk e bënin dot, me rezultat shumë prindër të mos mundnin të pajisnin me pasaportë dhe dokumente të tjera identiteti fëmijët e tyre.
Cilat prej propozimeve tuaja janë pranuar deri më tani nga parlamenti grek?
Organizata ‘Arogji-Përkrahja’ u informua nga instancat kompetente se nga propozimet që paraqitëm në komisionin parlamentar, janë pranuar disa prej tyre. Kështu aplikimet për leje të jashtëzakonshme do të shqyrtohen në bazë të ligjit të mëparshëm, domethënë, nuk do të kërkohen dokumente shtetërorë për të vërtetuar periudhën e qëndrimit në Greqi.
Një tjetër fakt i rëndësishëm që duhet theksuar është që tashmë fëmijët që janë larguar nga Greqia me prindërit e tyre, por kanë kryer këtu shumë vite shkollë (mbi 6), do të mund të aplikojnë për leje qëndrimi, pavarësisht se mungojnë nga Greqia më shumë se dy vjet.
Kjo gjë më parë nuk lejohej. Një ndër propozimet që u pranua lidhet me pagesën e taksës së leje qëndrimit, e cila para ishte 300 euro për 2 vite, ndërsa pas propozimit tonë do të jetë 300 euro për 3 vjet, pra do të shtohet një vit më shumë i lejes për ata që e kërkojnë për arsye të jashtëzakonshme. Kjo është diçka tejet pozitive.
Si e vlerësoni ju pranimin e këtyre dy propozimeve?
Organizata ‘Arogji-Përkrahja’ e konsideron si shumë pozitiv këtë zhvillim dhe pret që edhe propozimet e tjera të pranohen në interes të emigrantëve. /GSH/ http://www.albeu.al/shqiperi/ndryshimet-ne-ligjin-grek-keto-jane-lehtesirat-per-emigrantet-shqiptare/393717/