Diçka si neper filma ka ndodhur sot ne kryeqytet. Ky qen është i pari që ka rendur të kërkojë ndihmë pasi ka parë të zotin të bjerë nga stoli në tokë, pa ndienja. E gjithë ngjarja është regjistruar me celular në afërsi të kryqëzimit të “Ali Demit” në Tiranë.
Qeni ka rendur sa në të majtë e në të djathtë duke u lehur fort kalimtarëve dhe drejtuesve të automjeteve për tu ndaluar dhe për t’i dhënë ndihmën e parë të moshuarit që ndodhej pa ndjenja në tokë. Të lehurat e tij kanë tërhequr vëmendjen e një gruaje që është afruar pranë personit të shtrirë pa ndjenja në tokë dhe menjëherë i ka telefonuar policisë. Një patrullë me dy efektivë ka mbërritur në pak minuta dhe menjëherë i është kërkuar ndihmë urgjencës mjekësore.
Dy efektivët e patrullës kanë ofruar ndihmën të parët duke përdorur mjete rrethanore në tentativë për të përmendur të moshuarin, i cili edhe pse merrte frymë nuk shfaqte asnjë reagim.
Të njejtën gjë kanë bërë edhe kalimtarë të rastit në pritje të ardhjes së autoambulancës.
Mjeti i ndihmës së shpejtë ka mundur të mbërrijë në vendngjarje pas 20 deri në 25 minutash nga momenti i lajmërimit, ndikuar kjo edhe nga trafiku i madh që krijohet në mesditë në kryeqytet.
Mjekët e kanë marrë të moshuarin endacak dhe e kanë transportuar drejt urgjencës më të afërt. Dyshohet se shkak i humbjes së ndjenjave mendohet të jetë konsumimi tej normave i alkoolit që mund të ketë çuar në komplikacione të rënda kardiake.