Skip to content

Vrasja e shqiptarit në Itali, identifikohet autori i dyshuar

    23-vjeçari me origjinë shqiptare Hekuran Cumani, u vra me thikë para një lokali në zonën universitare të Perugias mbrëmjen e së shtunës. Sipas dëshmive të miqve të tij dhe shumë dëshmitarëve të pranishëm, autoritetet italiane kanë identifikuar tashmë të dyshuarin: një i ri me origjinë nga Tunizia, i cili dyshohet se ka nisur sherrin së bashku me grupin e tij, fillimisht brenda dhe më pas jashtë klubit të natës të njohur si “100Dieci”, ku sapo kishte përfunduar një mbrëmje studentore.

    Cumani kishte udhëtuar nga Fabriano drejt Perugias me vëllain e tij dhe disa miq, siç bënte shpesh për të kaluar fundjavën. La Repubblica duke iu referuar burimeve policore shkruan se përplasja mes dy grupeve, rreth 20 persona, nisi për arsye të parëndësishme (një shikim apo një fjalë e tepërt) dhe rifilloi jashtë lokalit rreth orës 4 të mëngjesit, kur festa kishte përfunduar.

    Sipas dëshmitarëve, në atë moment u nxorën dy thika një e madhe dhe një më e vogël, të mbajtura nga i njëjti person, i dyshuari tunizian. Ai fillimisht plagosi lehtë vëllanë e viktimës, dhe më pas goditi edhe Hekuran Cumanin me një thikë në kraharor, duke i shkaktuar vdekjen.

    Dyshohet se autori mund të jetë kthyer më vonë në vendngjarje ose të ketë marrë thikat nga një automjet, pasi hyrja në lokal bëhet përmes kontrollit me metal detector dhe nuk kishte armë brenda.

    Thika me të cilën u krye krimi nuk është gjetur ende. Mendohet se autori dhe grupi i tij e kanë marrë me vete gjatë arratisjes. Autoritetet italiane janë në ndjekje intensive të të dyshuarit.