Dëmtime të shumta në ndërtesa dhe rrugë, por fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz.
Është kjo ajo që ka ndodhur krejt papritur në Kenia, ku një pjesë e madhe toke është ndarë në mes gjatë javës që lamë pas.
Sipas gjeologëve bëhet fjalë për një fazë tektonike, që me kalimin e kohës mund të çojë në ndarjen në mes të kontinentit europian.
Çarja gjigante u shënua në qytetin e Narok, në luginën Rift Valley dhe përveçse ka shkatërruar një sërë ndërtesash ka dëmtuar edhe autostradën që çon drejt kryeqytetit, Nairobi.
Kjo frakturë dyshohet se është shkaktuar nga një sërë faktorësh. Pikë së pari duhet kujtuar origjina vullkanike e liqeneve të mëdha që rrethojnë Rift Valley dhe lëkundjet e lidhura periodike, që shpesh mund të shkaktojnë tërmet.
Lëkundjet gjithsesi janë konstante në këtë zonë, sidomos për shkak të kontakteve mes pllakave të ndryshme afrikane, asaj indiane me atë arabike, shkruan noa.al.
Kjo do të mjaftonte për të shpjeguar edhe reduktimin e trashësisë së litosferës e cila është vetëm 20 kilometra, ose rreth 1/5 e sipërfaqeve të tjera në të gjithë botën.
Si të mos mjaftonte, duhet konsideruar fakti që sipas ekspertëve, litosfera është më e butë edhe sepse toka bazohej në rrjedhën e një lumi, i cili është tharë shumë vite më parë.
Përmbytjet e muajve të fundit, shumë të shpeshta në këto kohë të vitit, kanë bërë që uji të thithet nga toka dhe shkëmbinjtë duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, duke e bërë situatën hidrogjeologjike të pasigurtë.