Bashkia e Lezhës ka 10 njësi administrative të cilat tani punojnë nën drejtimin e nënkryetares Alfrida Marku, e vetmja zyrtare e lartë që ka mbetur në këtë institucion.
Një pjesë e administratës u ndalua bashkë me kryebashkiakun Fran Frrokaj dhe ata ndodhen në arrest shtëpie. Nënkryetarja thote se shërbimi vazhdon, por janë disa shërbime që në mungesë të kryetarit nuk mund të bëhen.
“Përjashtimisht mbeten të pa përmbushura ato shërbime të cilat ligji i lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe ekskluzive me autoritetin e kryetarit të bashkisë, më të ndjeshmet janë ato shërbime që i ofrohen qytetarëve që jetojnë përtej territorit të republikës së Shqipërisë, veprime financiare të cilat kanë të bëjnë me pagesat apo detyrimet e institucionit si dhe veprimet proceduriale dhe juridike që kryhen pranë zyrës së urbanistikës”, shton Marku.
Në bashkinë e Lezhës shpresojnë që pas apelimit kryebashkiaku të lirohet dhe të rikthehet në punë. Por deri atëherë bashkia do funksionojnë në mënyrë gjysmake.
Nëse Fran Frrokaj do vazhdojë mandatin e tij deri në fund kjo do mësohet në përfundim të hetimit dhe në dhënien e vendimit të gjykatës.
Ndërsa administrata e cunguar në bashki po vijon punën. Këtë të premte me dhjetëra qytetarë ishin në sportelet e bashkisë, një nga më të mëdhatë në vend.