Një peshkatar 61-vjeçar nga Peruja, Máximo Napa, është shpëtuar i gjallë në ujërat ndërkombëtare pas 94 ditësh në det të hapur. Anija ekuadoriane që e zbuloi varkën e tij të vogël jashtë portit të Chibote raportoi se ai ishte në gjendje të mirë fizike pavarësisht sfidave ekstreme që përjetoi.
Máximo Napa u nis për peshkim më 7 dhjetor nga porti i San Juan de Marcona, por kushtet e këqija të motit dhe rrymat e forta e devijuan nga kursi. Pas rreth 10 ditësh, varka e tij pësoi një defekt mekanik, duke e lënë të bllokuar në mes të oqeanit, pa një radio fener emergjence për të kërkuar ndihmë.
Për të mbijetuar, ai konsumoi buburreca, peshq dhe zogj, ndërsa pinte ujë shiu dhe gjak breshkash. Teksa qante para gazetarëve, 61-vjeçari deklaroi se gjatë gjithë kohës kishte menduar për nënën e tij dhe nuk donte të vdiste pa e parë përsëri.
“Është një mrekulli që e gjetën babanë tim… Ne kurrë nuk e humbëm shpresën,” u shpreh vajza e tij, Ines Napa.
Pas shpëtimit, Napa mori ndihmën e nevojshme mjekësore dhe të shtunën u lirua nga spitali, duke e përmbyllur kështu një histori të jashtëzakonshme mbijetese në det të hapur.