Dekretimi brenda pak javësh nga presidenti italian Sergio Mattarella, është hapi i fundit për njohjen e pensioneve për shtetasit e dy vendeve. Nga nisma pritet të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë dhe rreth 4 mijë italianë. Zv/ministrja e ekonomisë Olta Manjani tregon procedurën që duhet të kryejnë qytetarët e të dyja vendeve për të përfituar nga kjo marrëveshje.
“Një ndër nenet kryesore të marrëveshjes me Italinë është eksportimi i benefiteve, përfitimet e Niguruara në secilin shtet mund të eksportohen në shtetin ku ka rezidencën. Një shtetas shqiptar që jeton dhe punon në Itali mund ta bëjë aplikimin për lidhjen e pensionit në shtetin italian më pas shkëmbimi i të dhënave do të bëhet në mënyrë automatike ndërmjet institucioneve zbatuese që në rastin e Shqipërisë është Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe në Itali është IMS Italian. Kjo bëhet për të ulur koston pasi nuk do duhet përkthim noterizim dokumentesh pasi këto njihen në mënyrë automatike nga institucionet ligjzbatuese”, tha Olta Manjani zv.ministrja e Ekonomisë.
Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë edhe ata qytetarë që e kanë mbushur moshën e daljes në pension përpara disa vitesh, por janë përjashtuar nga marrja e pensionit për shkak të mosplotësimit të viteve të kontributeve, atij minimal prej 15 vitesh në vendin tonë dhe 20 vitesh në Itali.
“Në shtetin shqiptar vitet minimale për të përfituar pension janë 15, Italia e ka 20. Nëse një shtetas shqiptar do të kishte 14 vite punë këtu, apo 19 vite punë në Itali, pavarësisht se në total do të kishte 33 vite punë nuk do të rrinte dot të përfitonte as pension në Shqiperi as në Itali. Në këtë rast nga 33 vite, 14 vite përfitohen nga skema shqiptare dhe 19 nga ajo italiane”, tha Olta Manjani.
Pas Italisë një rëndësi e veçante po I kushtohet edhe njohjes së pensionve me shtetin grek, ku deri tani sipas zëvendësministres takimet teknike kanë rezultuar me sukses.
“Vëmendja e marrëveshjeve të tilla është e përqëndruar në shtete ku ka prani të madhe të shqiptarëve, Greqia është një prej tyre ku kemi bërë dy takime në nivel teknik dhe në këto takime frytdhënese ka rezultuar që skemat tona janë shumë të përpurthshme”, tha Olta Manjani.
Pas Italisë pritet të hyjë në fuqi marrëveshja me Malin e zi, Kroacinë, Bullgarinë, Poloninë dhe Serbinë. Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje për njohjen e pensioneve me 13 vende të ndryshme.