Studentja i dha fund jetës me fostoksinë, historia e trishtë që u zbulua rreth saj

662
0

Dalin detaje të reja lidhur me vajzën e re e cila i dha fund jetës me fostoksinë mëngjesin e kësaj të premteje në banesë.

Ngjarja e rëndë u shënua në fshatin Dishnicë të Korçës, ku 19-vjeçarja Erisiola Hoxha, studente në Fakultetin e Infermierisë, u gjet në gjendje të rëndë, ku pavarësisht dërgimit në spital, ndërroi jetë.

Mësohet se e reja ishte e vetëdijshme në momentin që ka shkuar në spital, ku fillimisht ka refuzuar ndihmën e mjekëve duke iu thënë “Më lini të vdes! Mos mu afroni”.

Por familjarët janë shprehur të shokuar nga veprimi i saj, pasi sipas tyre nuk kishte probleme dhe as kishte shfaqur probleme kohëve të fundit.

Erisiola qysh e vogël jetonte me familjen e hallës së saj, pasi prindërit ishin divorcuar.

Më pas e ëma kishte ndërruar jetë, ndërsa i ati ishte rimartuar, kështu që për rritjen e saj ishte kujdesur halla dhe bashkëshorti i saj.

E tronditur nga akti i rëndë i mbesës të cilën e kishte rritur si vajzën e saj, halla tha në polici se hëngrën darkë si gjithmonë, por Erisiola u kishte thënë se nuk ndihej mirë dhe shkoi të flinte.

“Vajta ta kontrolloja se mos kishte temperaturë, por aty e pashë në gjendje të rëndë. Duke folur me të më tregoi se kishte pirë fostoksinë. E nisëm me urgjencë në spital. Jam e shokuar, kurrë nuk ka pasur probleme, nuk më ka lënë të kuptoja asnjë shqetësim”, ka thënë gruaja mes lotësh.

Gjithsesi nga ana e policisë hetimet janë në vijim, për të zbuluar më shumë mbi arsyet e këtij veprimi.