Në fund maj të vitit 2016, historia e një polici të thjeshtë rrugor në Tiranë, përloti shumë qytetarë.
Xhemili Haluli me origjinë nga Gjirokastra, kishte 45 vite në Policinë e Shtetit, dhe dalja e tij në pension nuk mund të ishte një ngjarje e zakonshme. Ministri i Brendshëm në atë kohë, Saimir Tahiri, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, gjithashtu i shkarkuar, menduan t’i bëjnë një surprizë Xhemilit. Motori i Policisë Rrugore që ai kishte mbajtur për 22 vjet, do t’i jepej dhuratë. Një surprizë e mirëmenduar, e cila u filmua nga ministria dhe u shpërnda për mediat në atë kohë. Por për Xhemilin ishte vërtetë një surprizë dhe një vlerësim për punën e tij, ndaj edhe emocionet i kishte të shumta teksa shpesh u pa të përlotej.
Por një dokument i zbuluar tashmë, nxjerr në dritë, se për motorin që ju bë dhuratë Xhemilit, ministria dhe policia nuk kishin ndjekur asnjë procedurë ligjore. Për këtë arsye, shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Erion Ahmeti, ka firmosur një shkresë më 16 mars të këtij viti, ku kërkon kthimin e motorit. Në letër thuhet brenda 5 ditëve nga kjo datë, Xhemil Haluli duhet të paraqitet në komisariatin e policisë rrugore, për të bërë dorëzimin e motomjetit. Sipas kësaj shkrese, nëse motomjeti nuk do të dorëzohej brenda 5 ditësh, atëherë vlera që ish-polic Xhemili duhet të paguante është 1 milionë e 739 mijë lekë të vjetra.
Në këto kushte, dhurata e Xhemilit, tashmë është kthyer sërish në duart e policsë.
Ka qenë auditi i komisariatit të policisë rrugore në Tiranë, që ka konstatuar shkeljen e bërë nga ish ministri Saimir Tahiri dhe ish numri 1 i policisë, Haki Çako me dhurimin e motorit pa asnjë dokumentacion përkatës.
Edhe pse e ka dorëzuar motorin në polici, për të shmangur përplasjes ligjore, Xhemili i është drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon që të marrë sërish motorin, të cilin nuk e pati kurrë në emrin e tij.