Balerinët shqiptarë që kanë korrur sukses në Itali janë të shumtë. Mirëpo, i pari që hapi “rrugën” ishte Leon Cino. 19 vite më parë, ai u shpall fitues i “Amici” drejtuar nga Maria De Filippi.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai u kthye pas në kohë dhe tregoi emocionet e kësaj eksperience, nga momenti kur u largua nga Shqipëria dhe deri te suksesi që shënoi në Itali.
“Ju faleminderit, jeni shumë të mirë që mendoni se jam akoma i njëjti. Por jo, se kanë kaluar gjithë ato vite, gjithmonë më kanë ngatërruar me francezë apo gjermanë. Është e çuditshme, kur je shqiptarë dhe të thonë mos je kështu, mos je ashtu. Në ambientin tim, nuk më kanë bërë asnjëherë të mos ndihem jo shtetas i botës.
Në Shqipëri kam jetuar deri 12 vjeç, prandaj ju kërkoj edhe falje nëse ngatërroj ndonjë fjalë në gjuhën shqipe.
Unë bëra një audion në Shkollën e Arteve të La Scala dhe u diplomova. Më pas zgjodha të bëja karrierën në SHBA për dy vite, më pas u ktheva se e ndjeja veten shumë shumë larg nga familja. Ndihesha vetëm dhe kisha shumë dëshirë të përqafoja familjen time, por nuk mundesha se duheshin dy ditë.
Ishte një nxënës që kam pasur shokë në shkollë dhe bënte pjesë në Teatrin e Operas, edhe më tha rastësisht: ‘Leon, dëgjo, është një program televiziv’. Unë nuk e kisha parë ndonjëherë ‘Amici’ me thënë të drejtën, nuk e dija fare që ekzistonte një emision. Edhe rastësisht ky shoku im më dërgoi të bëja audicionet për programin. Për mua ‘Amici’ ka qenë një lloj pune dhe nuk e kam përjetuar se kushedi çfarë ishte”, rrëfeu Leon