Skip to content

ZYRTARE/ Ja ministrat e qeverisë së re Rama 4

    Qeveria Rama 4, ikin Manja i Drejtësisë, Manastirliu lë Arsimin për bashkinë Tiranë, Anila Denaj ngelet jashtë kabinetit, po ashtu dhe Taulant Balla. Lënë qeverinë edhe Igli Hasani i MPJ si dhe Ervin Hoxha i MPB. Për herë të parë një grua në krye të Punëve Brendshme, Koçiu, ish krahu i djathtë i Ramës në bashki

    Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kabinetin e ri qeveritar në Asamblenë e Partisë Socialiste, duke bërë zyrtare emrat e ministrave që do të drejtojnë vendin në mandatin e katërt.

    Më poshtë është lista e plotë e ministrave të rinj të qeverisë:

    Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë – Belinda Balluku

    BELINDA BALLUKU

    Ka mbajtur detyrën e Zëvendëskryeministres prej korrikut të vitit 2022 dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019.

    Më herët, nga shtatori i vitit 2013 e në vazhdim (2019), Znj. Balluku ka shërbyer në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në ALBCONTROL, sh.a., Agjencia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë.

    Znj. Balluku është diplomuar në Programin Ekzekutiv “Zhvillim Ekonomik” nga Harvard Kennedy School, si dhe me titull nderi nga IATA (International Air Transport Association) për menaxhimin e shërbimeve të lundrimit ajror (Air Navigation Services Management).

    Ministër i Financave – Petrit Malaj

    PETRIT MALAJ

    Petrit Malaj ka mbajtur detyrën e Ministrit të Financave. Përpara kësaj detyre, nga muaji janar 2024, Z. Petrit Malaj shërbeu si Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

    Nga viti 2010 z. Malaj mbajti detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të BDO Albania, pjesë e BDO Group, Grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave. Në vitin 2004 z. Malaj ishte pjesë e Programit të Qeverisë Gjermane, me fokus në tregjet e kapitalit duke u kualifikuar në Bursën e Frankfurtit dhe Bursën Berlin- Bremen.

    Ministër i Punëve të Jashtme – Elisa Spiropali

    ELISA SPIROPALI

    Nga korriku 2024 znj. Spiropali ka mbajtur postin e Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë gjatë Legjislaturës X.

    Prej janarit 2019 deri në korrik 2024, ka shërbyer si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke u riemëruar në mandatin e tretë qeverisës të Partisë Socialiste, në shtator 2021.

    Para emërimit në detyrë si Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Spiropali ka mbajtur funksionin e nënkryetares së Grupit Parlamentar Socialist dhe të nënkryetares së Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, prej vitit 2017 deri në vitin 2019.

    Ministër i Brendshëm – Albana Koçiu

    ALBANA KOÇIU

    Znj.Koçiu është lindur në Tiranë, më 10 Korrik 1977. Prej shtatorit 2023, ka mbajtur postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

    Përpara kësaj detyre, Znj. Koçiu ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013. Në kuadër të kësaj detyre, znj. Albana Koçiu u emërua nga qeveria shqiptare si negociatore në procesin screening me Komisionin Evropian, duke kryesuar delegacionet shqiptare në nivel teknik lidhur me procesin e Reformës së Administratës Publike (PAR).

    Ministër i Drejtësisë – Besfort Lamallari

    BESFORT LAMALLARI

    Besfort Lamallari ka lindur më 18 korrik 1987, në Peshkopi, Dibër. Ai mbajti postin e Zëvendësministrit të Brendshëm që nga 9 Tetori 2017. Z. Lamallari ka përfunduar studimet universitare për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 2009. Në 2013 është diplomuar në Universitetin e Oksfordit në programin Master shkencor për Kriminologji dhe Drejtësi Penale.

    Më herët ka ndjekur studimet pasuniversitare në Itali LL.M “Bashkëpunimi Ndërkombëtar kundër Krimit të Organizuar Transnacional”. Ai është trajnuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë (DGAP), si dhe Akademia e Studimeve Politike – Program i Këshillit të Europës. Z. Lamallari vjen nga një eksperiencë intensive kërkimore shkencore, nga e cila spikat roli i tij si hulumtues i pavarur dhe autor i një sërë studimesh në fushën e krimit të organizuar, radikalizmit dhe terrorizmit.

    Ministër i Arsimit – Mirela Kumbaro

    MIRELA KUMBARO

    Mirela Kumbaro Furxhi është lindur në Tiranë, në vitin 1966. Që prej shtatorit 2021 ajo ka shërbyer si Ministre e Turizmit dhe Mjedisit. Në vitin 2013, emërohet Ministre e Kulturës, post që e mbajti për më shumë se 5 vjet, duke u emëruar sërish ministre e Kulturës në vitin 2017 në mandatin e dytë të qeverisë Rama.

    Në vitin 2017 është nderuar me Urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez.

    Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Evis Sala

    EVIS SALA

    Evis Sala drejton Qendrën për Imazheri Diagnostike dhe Radioterapi Onkologjike në Poliklinikën “Gemelli” dhe është pedagoge në institucionet e arsimit të lartë, ku kontribuon me përvojën e saj akademike dhe kërkimore për formimin e brezit të ri të profesionistëve të shëndetit.

    Prof. Sala ka një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore në Mbretërinë e Bashkuar, ku për shumë vite ka qenë pjesë e Universitetit të Kembrixhit dhe ka bashkëdrejtuar Programin e Avancuar të Imazhimit të Kancerit dhe Programin e Integruar të Mjekësisë së Kancerit në Qendrën e Kërkimit të Kancerit në Kembrixh.

    Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Andis Salla

    ANDIS SALLA

    Z. Andis Salla ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bashkisë Cërrik. Ai ka kryer studimet e larta për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

    Është kualifikuar në vitin 2014 si avokat pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe ka një sërë eksperiencash pune si jurist dhe me vonë si Drejtor i IEVP në Elbasan.

    Ministër i Mjedisit – Sofjan Jaupaj

    SOFJAN JAUPAJ

    Deri më tani Jaupaj mbajti detyrën si Zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit. Ai u diplomua për Drejtësi në vitin 2013 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku ka qenë anëtar i rrjetit të studentëve ekselentë të këtij Universiteti dhe ndoqi studimet për të Drejtën e Pronësisë Intelektuale në Itali, Zvicër (përfitues i bursës evropiane të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale).

    Në 10 vitet e fundit, ai ka mbajtur pozicione të ndryshme në sektorin publik në Shqipëri si Drejtor i Kabinetit të Kryenegociatorit për Integrimin në BE të Shqipërisë, Drejtor i Integrimit dhe Koordinator i Lartë për normat ligjore prioritare të BE-së pranë Kryeministrisë dhe Ministrisë së Kulturës.

    Ministër i Kulturës, Turizmit dhe Sportit – Blendi Gonxhe

    BLENDI GONXHJA

    Blendi Gonxhja është lindur në Tiranë, më 15 Qershor 1970. Prej muajit janar 2024, ai ka mbajtur postin e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Përpara kësaj detyre, nga nëntori 2018, Blendi Gonxhja ka drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

    Nga Tetori 2015, ai drejtoi Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të themeluar nga Bashkia Tiranë. Në vitin 2000, Blendi Gonxhja u emërua Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Ndërsa Pas impenjimit si Këshilltar i Fondacionit “Rothschild” dhe “Packard” në 2003, iu dedikua aktivitetit si një sipërmarrës në fushën e shërbimeve të lidhura me transportin në Greqi dhe Shqipëri.

    Ministër i Mbrojtjes – Pirro Vengu

    PIRRO VENGU

    Z. Vengu është lindur më 24 Prill 1986, në Elbasan. Prej korrikut 2024 ai ka mbajtur postin e Ministrit të Mbrojtjes.

    Nga viti 2019 e në vijim (2024), z.Vengu ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës. Në periudhën 2017 deri në 2019, ai ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Antikorrupsionit, në Kryeministri.

    Ndërsa nga viti 2013 deri në 2017, ka qenë shefi i kabinetit në Ministrinë e Jashtme. Më herët, gjatë viteve 2010 – 2013, z. Vengu ka mbajtur rolin e Koordinatorit të Programeve Kërkimore, European Council on Foreign Relations (Paris, Francë).

    Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin – Toni Gogu

    TONI GOGU

    Toni Gogu është jurist dhe më herët ka mbajtur pozicionin si Zëvendësministër i Drejtësisë dhe në legjislaturën e X të Parlamentit të Shqipërisë si deputet i qarkut të Tiranës.

    Z.Gogu ka një përvojë të gjatë në administratën publike dhe në hartimin e politikave ligjore që lidhen me transparencën, konfliktin e interesit dhe qeverisjen e mirë. Me formim në drejtësi dhe përvojë të gjatë në çështje ligjore e institucionale, ai ka qenë i angazhuar në disa procese reformuese që synojnë forcimin e integritetit të funksioneve publike.

    Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor – Ervin Demo

    ERVIN DEMO

    Z. Demo ka lindur në Berat, në vitin 1982. Nga qershori 2019 ai ka mbajtur postin e Kryetarit të Bashkisë Berat.

    Në vitin 2017 është emëruar Zëvendësministër i Arsimit Sportit dhe Rinisë, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit 2018. Ndërsa gjatë viteve 2012-2016 ka qenë Zv/Rektor i Universitetit të Tiranës.

    Ervin Demo ka një karrierë të gjatë në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë. Që nga viti 2004, ka qenë pedagog me kohë të plotë pranë departamentit të Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

    Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore – Majlinda Dhuka

    MAJLINDA DHUKA

    Deri më tani Znj. Dhuka ka kryer detyrën e Ministres së Shtetit dhe Kryenegociatores. Më herët, ajo ka ushtruar disa funksione drejtuese si nëpunëse civile në drejtori dhe departamente si të legjislacionit; zhvillimit dhe planifikimit strategjik në Bashkinë e Tiranës, si dhe në bashkëpunimin për zhvillim dhe ndihmën e huaj; programimin e zhvillimit – planifikimin strategjik; mirëqeverisjen dhe politikën publike, në Kryeministri. Gjithashtu, znj. Dhuka ka luajtur rolin e Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.

    Znj. Majlinda Dhuka është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, si dhe mban diplomën “Master në Studime Evropiane”.

    Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin – Adea Pirdeni

    ADEA PIRDENI

    Znj. Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983 dhe prej 16 janarit 2024 mban detyrën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

    Prej shtatorit 2020, ka shërbyer si Zëvendësministre e Drejtësisë dhe negociatore si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE për Kapitullin 23 “Gjyqësori & të Drejtat Themelore”. Në cilësinë e Zëvendësministres, Znj. Pirdeni ka mbuluar çështje të kuadrit strategjik në fushën e drejtësisë dhe antikorrupsionit.

    Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit – Delina Ibrahimaj

    DELINA IBRAHIMAJ

    Znj.Ibrahimaj është lindur në Tiranë, më 23 dhjetor 1983. Që prej muajit shtator 2023, ajo ka mbajtur postin e Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

    Përpara kësaj detyre, Znj. Ibrahimaj ka shërbyer si Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

    Nga viti 2019 e në vijim ka kryer detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, në 2016-2019 ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave dhe në 2015-2016 koordinator për Çështjet Financiare dhe Ekonomike, anëtare e sallës operacionale në Kryeministri.

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.