Zv. ministri i ri i arsimit në Shqipëri: Jam shkencëtar, paguhesha 9 mijë euro në muaj

653
0

Taulant Muka është zëvendës ministri i ri i Arsimit, i emëruar disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, pas dorëheqjes dhe akuzave për plagjaturë në diplomën e ish-zv.ministrit, Ervin Demo.

Të shumta kanë qenë debatet që ka shkaktuar edhe Muka me zgjedhjen e tij në këtë post, duke qenë se pak kohë më parë ai kritikonte e ironizonte politikat e ndjekura nga Rama për arsimin.

I kontaktuar nga Report Tv, Taulant Muka është shprehur se karriera e tij ka nisur prej kohësh dhe se paguhej 9 mijë euro në muaj teksa punonte si shkencëtar në Kopenhagë.

Ai thotë:

E njoh realitetin shqiptar dhe nuk jam i lumtur që shoqëria më njeh për rastin e paraqitur. Unë jam shkencëtar, isha në Kopenhagën me një rrogë shumë të mirë, merrja 9.000 euro në muaj, dhe do të zhvillohesha profesionalisht në Zvicër.

Unë karrierën time e kam krijuar përpara së të merrja postin zëvendës Ministër i Arsimit dhe Sportit.

Qëllimi im, duke marrë shtysë edhe nga profesioni im si shkencëtar, është të zhvillohet shkenca, pasi sikurse dihet zhvillimi ekonomik është i lidhur ngushtë me shkencën”.