Zhduket gruaja/ Familja e tmerruar: E mori një fierak me taksi, ka lënë vajzën 10 vjeçe, duam të dimë a..

475
0

Ishte ditë e shtunë, 12 tetor 2024. Afërdita Shpendi, braktis vajzën e vogël 10 vjeçe dhe largohet nga banesa e saj në Sopot, një fshat i vogël 8 km nga Gjakova, duke humbur çdo gjurmë e duke alarmuar familjarët e saj. Mungesa e 39-vjeçares prej orësh të tëra në banesë e shqetësoi të voglën. Ajo njoftoi hallat dhe të atin në emigrim, i cili udhëtoi menjëherë drejt Kosovës. Ndërkohë familjarët e Afërditës, pas denoncimit për zhdukje në Policinë e Kosovës, kontaktuan edhe emisionin Piranjat, pasi 39-vjeçaren diçka e lidhte me Shqipërinë. Gjatë një komunikimi me bashkëshortin e Afërditës, ky i fundit la të kuptohej se gruaja e tij ishte larguar me një person tjetër, dhe se ishte i zhgënjyer prej saj, e nuk kishte asnjë interes ta gjente.

“Interesi ynë është vetëm të dimë a është gjallë, asnjë interes tjetër nuk kam më“, i tha ai gjatë një bisede telefonike gazetarit Freard Rista.

Arsyeja e kësaj sjellje të bashkëshortit të Afërditës është një lidhje jashtë-martesore që 39-vjeçarja kishte krijuar së fundmi me një person që quhet Arjan Balla, nga fshati Kallm i Fierit. Lidhje e cila kishte pak kohë që kishte nisur përmes rrjeteve sociale dhe që natyrisht kishte shqetësuar të afërmit e gruas së re, të cilët udhëtuan me urgjencë drejt Shqipërisë.

“Dyshimet janë që ka ardhur këtu (Shqipëri). Dua të di a është gjallë apo jo? Gocën e ka lënë 10 vjeçe vetëm në shtëpi. Shumë na ka shqetësuar, s’na ka ndodhur kurrë”, tha nëna e Afërditës.

“Atë ditë që është zhdukur Afërdita ai person (Arjan Balla) ka publikuar një video një restorant afër shtëpisë së Afërditës. Unë kam shkuar të nesërmen në restorant dhe kam pyetur nëse ka qenë ai person aty dhe ata na e kanë konfirmuar që po ka qenë dhe ka qendruar 5 orë vetëm. Pastaj i ka kërkuar atyre të restorantit t’i marrin një taksi. Folëm me taksistin që e mori në restorant dhe e pyetëm ku e ka çuar dhe na tha në fshatin Sopot ku e ka Afërdita shtëpinë. E kanë marrë një grua dhe kanë vazhduar drejt Prizrenit ku ndalesën e kanë bërë në stacionin e autobusave në Prizren”, u shpreh kushërira e Afërditës.