Zelensky u mbijeton tre atentateve… Ruset: Ndodhet ne Poloni. Putin thirrje Evropes: mos e perkeqesoni situaten me sanksionet ndaj Rusise

222
0

“The Times” bën me dije se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka mbijetuar të paktën tre atentateve javën e kaluar.

Dy forca operacionale të ndryshme janë dërguar nga rusët për të kryer eliminimin fizik të presidentit dhe kabinetit të tij qeveritar.

Mercenarë të grupit Wagner të mbështetur nga Kremlini dhe forcat speciale çeçene zbarkuan në Ukrainë me synimin e vetëm vrasjen e Zelenskyt.

Por, ekipi i sigurisë së presidentit është treguar i jashtëzakonshëm duke bërë që mercenarët e Wagner të pësojnë humbje të mëdha.

Një burim i afërt me grupin tha për “The Times”, se ishte “e frikshme” se sa mirë funksiononte ekipi i sigurisë i Zelenskyt.

Dy atentate janë ndërmarrë nga mercenarët e Wagner dhe një tjetër nga forcat speciale çeçene.

Ka ende më shumë se 400 anëtarë të Grupit Wagner në Kiev, me një “listë vrasjesh” prej 24 zyrtarësh, vdekjet e të cilëve do të shkaktonin kaos në qeverinë ukrainase.

Zelensky, shmangu gjithashtu një atentat të shtunën në periferi të Kievit, kur një grup vrasësish çeçenë u zbuluan para se të arrinin te lideri karizmatik i Ukrainës.

Në fillim të konfliktit javën e kaluar, SHBA ofroi të evakuonte Zelensky, nga Kievi teksa forcat ruse po rrethonin qytetin, por ai nuk pranoi.

“Lufta është këtu; Unë kam nevojë për municion, jo për një udhëtim”, deklaroi ai.

Zelensky “u largua nga Ukraina dhe shkoi në Poloni”, sipas kryetarit të Dumës ruse Vyacheslav Volodin. Nuk ka asnjë konfirmim nga pala ukrainase.