Zbulohet një mutacion i ri i virusit

407
0

Një tjetër mutacion i ri i virusit Covid-19 është zbuluar të dielën në Japoni. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria japoneze e Shëndetësisë. Sipas autoriteteve, ky variant i ri i Covid u zbulua në 4 udhëtarë nga Brazili.

“Për momentin nuk ka asnjë provë që tregon se varianti i ri i gjetur tek udhëtarët nga Brazili ka shkallë të lartë infektimi”, tha kreu i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive në Japoni, Takaji Wakit.

Ministri braziliane e Shëndetësisë tha se është njoftuar për rastin nga autoritetet e Japonisë, se varianti i ri i virusit që u gjet tek 4 udhëtarët ka 12 mutacione, dhe njëri prej tyre është identifikuar edhe në variantet e virusit të gjetura në Angli dhe Afrikën e Jugut.

“Megjithatë kjo nënkupton një shkallë infektimi potencialisht më të lartë të virusit”, u shpreh Takaji Wakit.

Nga 4 udhëtarët e infektuar që mbërritën nga Brazili në Japoni, një burrë rreth të 40-ve kishte probleme me frymëmarrjen, një grua shfaqi dhimbje koke dhe fyti, një djalë adoleshent kishte ethe, ndërsa një vajzë tjetër nuk shfaqi asnjë simptomë.

Të gjithë këta persona janë karantinuar në aeroportin e Tokios.