Zbardhet përplasja e fortë/ Bushati flet për ‘çunat problematikë’ në PS! Rama: Ja pse të shkarkova..

511
0

Mbledhja e mbrëmshme e Kryesisë së Partisë Socialiste është karakterizuar nga debate të ashpra dhe momente tensioni. Kryefjala e mbledhjes ishte situata e krijuar në Shkodër, ndërsa protagonist i debateve ishte ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i shkarkuar disa javë më parë nga kryeministri Rama si drejtues politik i Qarkut të Shkodrës. Sipas burimeve të Shqiptarja.com, gjatë mbledhjes, Ditmir Bushati ka folur për rikthimin e personave me të kaluar të dyshimtë në PS. Bushati ka përmendur sintagmën “çunat problematikë’, duke ironizuar dhe referuar kështu Damian Gjiknurin, i cili sipas përgjimeve të publikuara nga Bild, flet për një grup çunash problematikë, të cilët i kishte zhvendosur në Dibër në kuadër të fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore, pas shkarkimit të Shukri Xhelilit.

Gjithashtu, Bushati i është referuar rolit të Tom Doshit në Shkodër dhe Valdrin Pjetrit, duke kërkuar pranimin e gabimit nga Rama për afrimin e tyre. Ndërkaq, sipas burimeve, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili ka pohuar se Tom Doshi nuk është pjesë e Partisë Socialiste, por i një force tjetër politike dhe se nuk ‘kërcënon’ vendin e Bushatit. Rama është shprehur se ‘Tom Doshi është një realitet në Shkodër. Nuk është pjesë e PS, por i një force tjetër politike. Është aleat. Edhe nëse nuk të pëlqen Doshi, ai është një realitet, ka votat e tij. Tom Doshi nuk kërcënon vendin tuaj në parti”.

Sipas burimeve, Rama i ka bërë më dije Bushatit edhe arsyet e zëvendësimit në Shkodër si koordinator. “Ne të kemi hequr, pasi nuk je lider, por je shef. Lideri krijon raporte të barabarta, ti je sjellë si shef”. Nga ana tjetër, Bushati mësohet se ka kundërshtuar edhe shkarkimin e drejtorëve në Shkodër, një pjesë e të cilëve duket se janë personazhe pranë tij. Ndërkaq, në Partinë Socialiste flitet se Bushati po përgatit terrenin për t’u vetëlarguar nga PS. Nuk dihet ende nëse ish-ministri do t’i bashkohet një projekti të ri politik.

Bushati jashtë mbledhjes

Debatet në Kryesinë e Partisë Socialiste janë reflektuar edhe në deklaratat e artikuluara nga Ditmir Bushati pas mbledhjes. Bushati foli për rikthimin në PS të njerëzve me të kaluar të dyshimtë. “Jam krejt i bindur edhe nga kontaktet që kam pasur me njerëz të zakonshëm, ne kemi përgjegjësinë e madhe për ta trajtuar këtë fenomen dhe për ta shfarosur këtë fenomen. PS është partia e intelektit dhe ato gabime që kemi bërë në të shkuarën, kur njerëz kishin një të kaluar të dyshimtë u përjashtuan, u përshëndetën nga SHBA. Fatkeqësisht u rikthyen në tryezat tona vendimmarrës dhe sot na duhet të administrojmë pasojat e këtyre gabimeve”, tha Bushati.

Kundër Ramës për shkarkimin e drejtorëve në Shkodër

Bushati deklaroi se ai i ka dërguar një letër kryesisë së PS ku shprehet se shkarkimet masive nuk zgjidhin situatën e krijuar, duke u pozicionuar kështu kundër kryeministrit Edi Rama. “Unë i kamë bërë një letër kryesisë së PS për shqetësimet që kanë ngritur atje. E vërteta është se që me delegimin tim në 2016 unë kam pasur disa fenomene për t’i trajtuar, sepse tek e fundit jemi një familje politike dhe është e hijshme që të trajtohen brenda forumeve. Mendoj që me rastin e fundit në Shkodër kemi para nesh pikën e derdhjes për një fenomen që duhet ta trajtojmë në mënyrën me agresive të mundshme. Kjo nuk është një çështje që mund të trajtohet në mënyrë ligjore apo procedurale, as me zhvendosje vëmendje për shkarkime në masë të njerëzve që s’kanë lidhje dhe asnjë fajësi me situatën e krijuar”, tha ai.

Kërkesa për reformë

Bushati tha se duhet një reformë e thellë brenda partive politike. “Mendoj që kjo është një çështje që shkon përtej mureve të një organizate politike sepse në fund të ditës na takon ne si politikan, sepse s’jemi gjyqtarë që të japim vendime për të shkuarën e një personi të caktuar, por kemi përgjegjësinë për të hapur një debat dhe për të trajtuar rrënjët e këtij fenomeni, dhe jo për të menaxhuar pasojat. Rrënjët e këtij fenomeni mendoj se kanë nevojë për një reformë politike brenda partive politike, që të sjellë një kulturë të re politike, ku PS është dhe duhet të jetë partia e intelektit dhe pse jo partia e komuniteteve. Në rast se përgjegjësia për të kaluarën e secilit është një përgjegjësi individuale dhe ligjore, ne na takon që të njohim realitetin dhe përgjegjësinë politikë, të themi na falni edhe për raste në fjalë dhe të propozojmë reforma politike që ndërtojnë sisteme imunitare për një jetë tjetër politike”. d.ba./b.ha./Shqiptarja.com