Skip to content

Xhoana Nano me lot në sy: E dashurova jo vetëm si person por dhe për..

    Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë mortore në hollin e Pallatit të Kongreseve, bashkëshortja e ish-kryetarit të PS Fatos Nano, Xhoana Nano, mes lotësh e cilësoi Nanon, si njeriu që e deshi jo vetëm si person por dhe për vizionin e një Shqipërie ndryshe, tjetër nga ajo që po kalonim.

    Xhoana tha se Fatosi ishte i vërtetë, ai nuk dinte dhe nuk donte të shtirej, e urrente populizmin.

    “Besonte me shpirt në vlerat evropiane, ishte neveritës ndaj banalitetit, servilizmit dhe paaftësisë. Ai eci mes baltës së politikës pa u bërë pis prej saj. Ai nuk bënte asgjë përgjysëm, as punën, as miqësinë, as dashurinë. Ai kishte një zemër të madhe, që dinte të falte e të mirëkuptonte, hakmarrja ishte një cilësi që jo vetëm nuk e kishte por as nuk donte ta njihte”.

    Xhoana Nano: Të dashur miq e dashamirës,

    I nderuar zoti kryeministër,

    kjo është dita më e errët dhe e trishtuar e jetës.

    Po ndahem me njeriun që kalova një cerek shekulli jetë dhe që më lidhën shumë ëndrra, shpresa e zhgënjime të përbashkëta. Është një nga ato ditë që sdo doja ta kaloja. E njëjta ditë është dhe për fëmijët tanë. Këtu e një cerek shekulli më parë, rashë në dashuri me Fatosin, isha shumë e re atëherë nuk e kuptoja pse. Kisha rënë në dashuri jo thjesht me Fatosin si person por dhe me vizionin e një Shqipërie ndryshe, tjetër nga ajo që po kalonim.

    Nuk e pata menduar me kaq qartësi atëhërë. Me kalimin e kohës, ditë pas dite, pata fatin të zbuloja te Fatosi vlera e cilësi që nuk janë. E ndjej për detyrë publike e morale që disa cilësi të tijat, me mirënjohje të thellë e them, që i njohim të gjithë, por ja vlen të përmblidhen. Sepse Fatosi ishte i vërtetë, ai nuk dinte dhe nuk donte të shtirej, e urrente populizmin.

    Besonte me shpirt në vlerat evropiane, ishte neveritës ndaj banalitetit, servilizmit dhe paaftësisë. Ai eci mes baltës së politikës pa u bërë pis prej saj. Ai nuk bënte asgjë përgjysëm, as punën, as miqësinë, as dashurinë.

    Ai kishte një zemër të madhe, që dinte të falte e të mirëkuptonte, hakmarrja ishte një cilësi që jo vetëm nuk e kishte por as nuk donte ta njihte.