Shkresa/ Xhelal Mziu: Në Kamëz nuk ka zgjedhje në 30 qershor

414
0

Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu i ka kthyer përgjigje Komisionit Qendror Zgjedhor sot ne lidhje me zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ku sqaron se në kamëz ato nuk do zhvillohen.

Duke vënë në dijeni Ministrin e Brendshëm, Prefektin e Qarkut Tiranë, Prezencën e OSBE-së si dhe KZAZ nr.27 dhe 28 Bashkia Kamëz sqaron se:

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka tagër ligjor që të gjykojë mbi Dekretet e Presidentit për sa i përket datës së zgjedhjeve. Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rezervat e tij ligjore për Dekretet e Presidentit, mund t’i drejtohet vetë kryesisht këtij institucioni (Presidentit).

Zbatimi i Dekretit nr.11199, datë 10.06.2019 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nga ana e qeverisjes vendore Bashkia Kamëz, është një detyrim ligjor dhe aq më tepër kushtetues.

Në mbështetje të plotë me Ligjin nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, është njoftuar KQZ-ja në zbatim të detyrimeve që përcakton Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, përkatësisht me shkresat: nr.329 prot. datë 21.01.2019, Nr.386/1 datë 29.01.2019, nr.1410 prot., datë 18.03.2019, Nr.2728 prot. datë 21.05.2019 dhe Nr.2867/1 prot. datë 31.05.2019 dhe Nr. 3271 prot. datë 13.06.2019, ku ju kemi informuar për administrimin e procesit zgjedhor.

Mziu deklaron sa më sipër nga ana e institucionit të Bashkisë Kamëz dhe e imja personalisht është ndjekur e gjithë procedura ligjore për zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Duke vlerësuar kushtetushmërinë e këtij dekreti deklaroi se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor 2019.