Xhafaj nënshkruan marrëveshje, por holandezët tronditen nga historia e Blerimit…

664
0

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, bashkë me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ministrin e Brendshëm holandez.

Por teksa Shqipëria zotohet për bashkëpunim, holandezët mbeten një vend skeptik ndaj Shqipërisë dhe mundësisë së hapjes së negociatave.

Së fundmi, gazeta ‘Volkskrant’ ka publikuar një reportazh nga Shqipëria, për të treguar se përse të rinjtë duan të largohen.

Në qendër të reportazhit është një 20-vjeçar, i quajtur Blerim.

“Tirana më merr frymën. Çdo ditë e më shumë. Punoj shtatë ditë në javë në një lokal dhe fitoj 180 euro në muaj. Kjo nuk është asgjë, ndërkohë që dua të bëhem dikushi në jetë. Por kjo është e mundur vetëm me para këtu. Shqipëria është një vend i bukur. Por nëse je si unë, këtu është q… Ti sheh shokët e ty në lokal, me makina të shtrenjta, femra të bukura dhe celularë të rinj. E di atë këngën “Pasurohu ose vdis duke e provuar”? Kjo është motoja ime. Kur të jem 25 vjeç, dua të kem një shtëpi, një femër, një makinë të mirë, një djalë dhe një orë. Nëse qëndroj në Tiranë, nuk do ia dal kurrë”.

“Vërtet dua që të bëj punë të ndershme. Por nëse droga është e vetmja rrugë për të ikur nga ky qytet leshi, atëherë droga”.

Sipas gazetës, plani i Blerimit është që të ikë në Angli, ku i kanë premtuar se do të punojë si shpërndarës droge.

Blerimi mendon se e meriton një jetë më të mirë, si çdokush në Europë.

Nëse BE-ja nuk vjen në Shqipëri, ai do të shkojë vetë atje.

“Ndoshta do bëhet më mirë në Shqipëri pas dhjetë vitesh. Por atëherë do jem i vjetër. Nuk do më mbetet gjë”.