Vulosja e pasaportave dhe sistemi që do ta zëvendësojë, ja cfarë u vendos së fundmi

111
0

Bashkimi Evropian ka shtyrë sërish hyrjen në fuqi të Sistemit të Hyrje/Daljes (EES), një sistem i ri biometrik që supozohej të hynte në fuqi në nëntor të këtij viti.

Siç raporton Independent, skema elektronike e kufirit, e cila ndër të tjera do të zëvendësojë vulosjen e pasaportave me regjistrimin dixhital të atyre që hyjnë dhe dalin nga zona Shengen, do të shtyhet sërish, pasi nuk është ende gati.

“The Independent ka mësuar se skema e kufirit elektronik nuk do të zbatohet tani këtë vit, sepse databaza nga e cila varet nuk do të jetë gati me kohë”, citohet gazeta nga Shengenvisa.info, duke theksuar se pritet një vendim zyrtar për një datë më të saktë në qershor.

Ai gjithashtu pretendon se ndërsa data e ardhshme për nisjen e EES besohet të jetë maji 2024, ka shanse që kjo të ndodhë më vonë vitin e ardhshëm, pas Lojërave Olimpike verore që janë caktuar të mbahen në Francë midis 26 korrikut dhe 11 gushtit.

Më parë ishte raportuar se qeveria franceze po planifikonte t’i kërkonte BE-së të shtynte funksionalizimin e EES deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, për shkak të Lojërave Olimpike.

Një burim qeveritar i kishte thënë Telegrafit në mes të marsit se autoritetet donin të vononin futjen e EES në mënyrë që të parandalonin radhët e gjata në vendkalimet kufitare me Britaninë dhe kaosin në aeroportet franceze pasi një numër i madh i shtetasve jo-BE pritet të hyjë në Francë për këtë event, i cili është një nga më të mëdhenjtë e organizuar në vend në vitet e fundit.

Skema EES tashmë është shtyrë një herë këtë vit, pasi pritej të hynte në fuqi javën e ardhshme, më 1 maj, por u shty për në nëntor.

Për shkak të vonesës së EES, edhe hyrja në funksion e Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) është shtyrë gjithashtu për në vitin 2024. Një datë e saktë për funksionalizimin e ETIAS nuk dihet ende, por ETIAS nuk mund të funksionojë pa nisur EES, pasi të dy skemat janë të lidhura thellësisht me njëra-tjetrën.