Vrasja e grabitësit në Fier, a dënohet polici që qëlloi?

946
0

Ngjarja e rëndë që ndodhi këtë të premte në Fier, ku shkëmbimi i zjarrit mes policisë dhe grabitësve solli vdekjen e 20 vjeçarit Xhuliano Sollaku dhe plagosjen e 35 vjeçarit Arben Muço, tronditi opinionin publik.

Dy të rinjtë kishin shkuar të grabisnin shtëpinë e Minella Muçit, i cili banon së bashku me bashkëshorten pensioniste. Dy të moshuarit kanë ndjerë se dikush kërkonte t’u shpërthente bravën e derës dhe njoftuan policinë.

Për pasojë, të gjendur në këtë situatë, policia dhe dy grabitësit kanë shkëmbyer zjarr, nga ku i riu nga Elbasani mbeti i vrarë, pas përplasjes me policinë.

Megjithatë, sado e rëndë të jetë vdekja e 20 vjeçarit, në bazë të ligjit për Policinë e Shtetit dhe për përdorimin e armëve, efektivët që qëlluan nuk mund të mbajnë përgjegjësi penale.

Kjo pasi sipas nenit 135, të ligjit “Për Policinë e Shtetit” të miratuar në vitin 2014, “Punonjësi i policisë ka të drejtë të përdorë armën e zjarrit, sipas legjislacionit për përdorimin e armëve të zjarrit.”

Thënë ndryshe një oficer policie, ka të drejtë të përdorë armën e zjarrit dhe të qëllojë, vetëm si mjet i fundit për të parandaluar ose neutralizuar veprimet e dhunshme të rrezikshme të personit me rrezikshmëri të lartë për jetën.

“Përdorimi i armëve të zjarrit është i lejueshëm vetëm kundër personave të veçantë të armatosur, të cilët kryejnë vepra të dukshme dhune kundër jetës së personit ose shërbimeve të policisë dhe shërbimeve që kryejnë subjektet e tjera që mbajnë dhe përdorin armë, kur përdorimi i masave të tjera shtrënguese nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara.” thuhet në nenin 7 pika 2 e ligjit për përdorimin e armëve.

Sa i përket përgjegjësisë penale nga ana e oficerëve të policisë, vlerësuar nga situata dhe rrezikshmëria në publik që përbënte ngjarja në fjalë, efektivët nuk mbajnë përgjegjësi penale për aq kohë sa ishin pjesë e një aksioni policor, dhe ku vihej në rrezik jeta në publik.

“Punonjësit e policisë apo subjektet e tjera, të cilat përdorin armë zjarri, kanë përgjegjësi personale, përveç rasteve në të cilat punonjësi është në përbërje të njësisë që vepron në një operacion policor ose ushtarak, në zbatim të nenit 173, pika 2, të Kushtetutës, dhe kur urdhri i dhënë nga drejtuesi i operacionit për të qëlluar nuk është i kundërligjshëm.” thuhet në nenin 6 pika 1

Sa i përket ngjarjes në fjalë, vdekja e 20 vjeçarit mbetet një ngjarje e rëndë, por që referuar ligjit efektivët e policisë nuk mbajnë përgjegjësi penale për aq kohë sa ishin në krye të detyrës dhe në zbatim të ligjit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike./Gazeta Shqiptare/ http://www.albeu.com/shqiperi/vrasja-e-grabitesit-ne-fier-a-denohet-polici-qe-qelloi/383798/