Votat e Eurosong janë numëruar gabim, ndryshon renditja për Shqipërinë. Ky është rezultati final

1828
0

Edhe këtë vit ka ndodhur një gabim në përllogaritjen e pikëve të thëna për konkurentët në Eurosong. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e Eurovizion 2019. Pas numërimit të votave edhe një herë, ky është rezultati i saktë dhe final i natës finale.

Shqipëria u rendit në vendin e 17-të. EBU është përgjigjur rreth gabimit në votimin e jurisë së Bjellorusisë në Eurovision Song Contest 2019. Ata tashmë kanë sqaruar gabimin që është bërë dhe rezultati ka ndryshuar.

Kështu, Maqedonia e Veriut shpallet fituese e jurisë së profesionistëve duke u ngjitur një pozicion më lart në klasifikimin përfundimtar dhe Shqipëria renditet në vendin e 17-të.

“Votat e jurisë së Bjellorusisë u rrëzuan pas zbulimit të tyre nga një anëtar i jurisë që është në kundërshtim me rregullat e ESC. Për të qenë në përputhje me rregulloren e votimit, EBU bashkëpunoi me partnerin e tij të votimit për të krijuar një rezultat të përmbledhur (të llogaritur në bazë të rezultateve të vendeve të tjera me të dhëna të ngjashme votimi), që u miratua nga monitoruesi i votimit Ernst & Young, të përcaktojë votën e jurisë bjelloruse për finalen e madhe. EBU mund të konfirmojë që kemi zbuluar se për shkak të një gabimi njerëzor është përdorur një rezultat i gabuar. Kjo nuk ka ndikim në llogaritjen e pikëve që vijnë nga televotimi për të gjithë 41 vendet pjesëmarrëse. Si rrjedhojë, kjo nuk ndikon as te fituesi i përgjithshëm dhe as te katër këngët e renditura në vendet e para, të cilat mbeten të pandryshuara.”

Kjo do të thotë që Maqedonia e Veriut është fituese e jurisë së profesionistëve dhe rritet me një vend në pozicionin final, duke u renditur në vendin e 7-të. Po kështu në klasifikimin final, Shqipëria renditet në vendin e 17-të duke u ngjitur një pozicion më lart.