VOA/ Rregullorja e re për emigrim në Amerika

1753
0

Administrata Trump ka njoftuar një politikë të re që komplikon më shumë procesin e aplikimit për leje qëndrimi apo marrjen e shtetësisë amerikane për një kategori të imigrantëve që ndodhen në Shtetet e Bashkuara. Politika e re specifikon se nëse këta emigrantë marrin ndihma sociale si kupona ushqimorë, asistencë si persona me të ardhura të ulëta apo strehim falas, kërkesa e tyre mund të mohohet. Aktivistët kanë shprehur kritika ndaj politikës së re, duke thënë se vë në shënjestër imigrantët e varfër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara ka përgatitur materialin në vazhdim:

Arturo Balbino erdhi në Shtetet e Bashkuara ilegalisht 14 vjet më parë. Ai është martuar me një amerikane, me të cilën ka bërë fëmijë. Arturo ka një letër nga punëdhënësi i tij, pronari i një kompanie ndërtimi, që i garanton punën.

Por në muajin mars kërkesa për leje të përhershme qëndrimi – Green Card – iu mohua. Si arsye u përmend fakti që ai merr ndihma sociale nga qeveria federale në formën e asistencës për familjet e varfra.

“Përpiqem të mendoj se çdo gjë do të shkojë mirë dhe se do të ribashkohem me familjen. Është shumë e rëndë të mendosh se nuk do të jem në gjendje të kthehem t’ulem pranë fëmijëve gjatë viteve,” thotë Arturo.

Ashtu si shumë të tjerëve, Arturo Balbinos nuk iu miratua aplikimi për dokumentaamerikane pasi ai konsiderohej si barrë mbi buxhetin shtetëror, bazuar në politikat e reja të imigracionit.

“Administrata e Presidentit Trump po rithekson idealet e mbështetjes në aftësitë e veta dhe të përgjegjësisë vetjake për të garantuar se imigrantët do të jenë në gjendje të përballojnë jetesën dhe të arrijnë sukses në këtë vend. Kjo politikë nuk lejon që t’u jepen dokumentet amerikane shtetasve të huaj, të cilët ka gjasa të bëhen barrë për shtetin,” shprehet Ken Cuccinelli, Drejtor në Detyrë i Agjencisë për Imigracionin.

Me termin barrë mbi shtetin identifikohen personat që marrin përfitime nga shteti në formën e kujdesit shëndetësor falas, strehimit me kosto të reduktuar ose falas dhe ndihmave të tjera për 12 muaj brenda një periudhe 36 mujore.

Aktivistët e akuzojnë administratën se ka vënë pa të drejtë në shënjestër imigrantët e varfër. Kjo rregullore nuk hyn në fuqi deri në mes të tetorit, por ndikimi i saj është ndjerë ndër imigrantët që aplikojnë:

“Kjo rregullore e re është bërë shkak që shumë individë të mos kërkojnë ndihma nga shteti, sepse kanë frikë se mund të diktohen dhe agjentët më pas do t’i deportojnë, ose sepse ka rrezik t’i pengojë në të ardhmen të marrin dokumentet amerikane,” thotë analisti për politikat e imigracionit, Cristobal Ramon.

Presidenti Trump garon vitin e ardhshëm për një mandat të dytë dhe shpreson që tëfitojë vota me qëndrimin e rreptë kundër imigracionit.

“Kjo temë i shton pikë presidentit në radhët e bazës së tij. Ai mund të vazhdojë t’imëshojë kësaj teme nëse demokratët vazhdojnë të kërkojnë zgjerimin e ndihmave sociale për imigrantët e paligjshëm.

Rregullorja nuk prek programet e imigrimit për refugjatët e luftës apo azil-kërkuesit; po ashtu politika e re përjashton nga kufizimet viktimat e trafikut me njerëz dhe të dhunës në familje.

Kjo politikë nuk ndikon tek imigracioni mbi baza familjare, pasi personi që aplikon për të sjellë të afërmit në Shtetet e Bashkuara duhet të tregojë se ka fonde të mjaftueshme për të përballuar koston e jetesës së të afërmve që do të vijnë për të jetuar në Amerikë./VOA