Vizat amerikane me afat 10-vjeçar, procedurat e reja pas dates 1 prill

254
0

Prej datës 1 Prill vizat që do të lëshohen nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë për shtetasit shqiptarë do të kenë afat 10-vjeçar nga 3 që është deri më tani.

Zv/konsullja e SHBA-së në Tiranë, Krystal Overmyer në një intervistë për Klan News sqaroi procedurën se si funksionon edhe rinovimi i vizave.

“Programi i rinovimit të vizave vlen edhe për udhëtarët që kanë pasur më parë një vizë amerikane që ka skaduar në 48 muajt e fundit. Ata mund të kenë të drejtë të rinovojnë vlefshmërinë e vizës së tyre pa ardhur në ambasadë për të kryer një intervistë personale”.

Fakti që tashmë kohëzgjatja e vizës për qëllime turizmi apo biznesi është për 10 vite, Overmyer tregon se sa është koha e qëndrimit në SHBA.

“Është e rëndësishme që të kuptohet se edhe pse viza turistike do të jetë e vlefshme për 10 vjet, kjo nuk do të thotë që ju mund të qëndroni në SHBA për 10 vjet. Kohëzgjatja e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara përcaktohet nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare në kohën kur shtetasi hyn në Shtetet e Bashkuara. Periudha maksimale e qëndrimit në rastin e vizave turistike është gjashtë muaj por mund të jetë edhe më pak”.

Ndër të tjera SHBA i ka dhënë përparësi edhe vizave të emigracionit.

“Edhe vitin e kaluar, kur rifilluam procesin e shërbimit të vizave, Departamenti i Shtetit, në kuadër të prioriteteve të tij, i kushtoi vëmendje të madhe kthimit të shërbimeve konsullore për qytetarët që duan të bashkohen me familjet e tyre në Shtetet e Bashkuara në veçanti për ata që janë më të afërt. Ne rifilluam punën për këtë vitin e kaluar për të trajtuar një sërë aplikimesh të mbetura në rastin e vizave të emigracionit për ribashkim me anëtarët e familjes”.

Zëvendëskonsullja Overmyer thotë se çdo vit numri i vizave të lëshuara nga ambasada amerikane në Tiranë për shtetasit shqiptarë është rritur. Sipas saj  ky hap i fundit pritet të forcojë më tej bashkëpunimin në biznes dhe turizëm mes dy vendeve.