“Vitet e arta në Gjermani mbaruan”, gazetarja e “DW”: këtë herë është vërtet situata më serioze, do kemi rënie të..

60
0

Berlini e drejton vëmendjen këto ditë nga Ballkani Perëndimor, raporton gazetarja e “Deutsche Welle”, Lindita Arapi për “Aldo Morning Show” në Tv Klan. Sot fillon konferenca e parë e ministrave të Brendshëm nga Ballkani, e cila pasohet nesër nga e dyta, konferenca e ministrave të Jashtëm. Të gjitha janë si përgatitje për samitin e Procesit të Berlinit që do të zhvillohet më 3 Nëntor.

Sot do të jenë në qendër flukset e migracionit të paligjshëm nga Ballkani, ku kritikat më të mëdha janë ndaj Serbisë. Ditën e nesërme do të diskutohet edhe siguria kibernetike e Ballkanit Perëndimor. Për t’u kthyer në situatën aktuale, që lufta në Ukrainë do të jetë një ndër fokuset e konferencave, biseda orientohet edhe drejt problemeve energjitike që ajo po sjell në Gjermani.

Aldo: Ndërkohë, ka zëra që priten që thonë do ketë blackout, do  ketë kështu, do ketë ashtu. Janë reale apo janë thjesht hapje paniku?

Lindita Arapi: Në fakt, sidomos këtë herë mund të themi se Gjermania që ka përballuar kaq shumë kriza dhe ka dalë më e fortë, këtë herë është vërtet situata më serioze. Madje ka dhe zëra që thonë që vitet e arta në Gjermani mbaruan, do kemi rënie të mirëqenies, por është edhe një shans për të krijuar një mirëqenie tjetër mbi bazën e energjive të rigjenerueshme.

Por ajo që është aktuale që the dhe ti, është vërtet frika e madhe është këtë vit për kolapsin e rrjetit energjitik në dimër dhe është një skenar realist thuhet në Gjermani dhe madje ka këshilla kudo për qytetarët, i dëgjon në media.

Por ka edhe ekspertë  që thonë rreziku që të pësojmë blackout, është i vogël, ekziston, por është i vogël. Më e mundur, thonë ata, është ngushtica për orë të caktuara në dimrin e ftohtë. Të kujtojmë se në dimrin e ftohtë të gjitha rrjetet, të gjitha sistemet arrijnë në limitet e tyre, por Gjermania i ka marrë në fakt disa masa, janë bërë teste stresi për sistemet e rrjetit elektrik. 

Me vendim të kancelarit gjerman, u lanë në punë madje edhe 3 centrale atomike që prodhojnë rrymë elektrike. Ato do të mbylleshin në fund të vitit, tani u shtynë deri më 15 Prill. Por rreziku ekziston dhe nuk është ekzagjerim, por është rrezik që ekziston vërtet.

Arapi shton se Gjermania është kritikuar nga vendet europiane për paketën prej 200 miliardë Euro që do të vendosë në dispozicion për të ndihmuar industrinë. Argumenti i shtetit është ekonomia gjermane , e cila duke qenë e fuqishme dhe në përmasa të konsiderueshme, është tejet e arsyeshme të vendoset.

Çmimi i gazit është rritur për shkak të luftës në Ukrainë sepse Gjermania varej  nga Rusia në 55% të furnizimit të saj me gaz, bllokadat e “Nord Stream”, moti i thatë dhe është lidhur me centralet atomike të Francës për të plotësuar nevojat elektrike.