Belgjika po hedh hapa para në drejtim të përmirësimit të jetës së njerëzve duke vendosur për herë të parë standardin e ligjshëm të punës vetëm katër ditë në javë.
Për më tepër, legjislacioni tani sanksionon se asnjë punonjës nuk është i detyruar ti përgjigjet shefit në telefon dhe të pranojë kërkesa që lidhen me punë jashtë orarit.
Ligja tashmë u jep punëtorëve të drejtën të fikin telefonat e punës dhe të injorojnë mesazhet që lidhen me të pas orarit zyrtar, pa frikën e hakmarrjes nga shefat.
Është qeveria e koalicionit të përbashkët shumëpartiak ajo që ka sjellë këtë risi në Mbretërinë belge.
“Përjetuam dy vite mjaft të vështira. Me këtë risi, ne ngritëm një pishtar për një ekonomi që është më inovative, e qëndrueshme dhe dixhitale. Qëllimi është të jemi në gjendje t’i bëjmë njerëzit dhe bizneset akoma edhe më të fortë”, – kryeministri belg Alexander de Croo duke prezantuar paketën e re sociale.
Parashikohet po kështu një mbrojtje më e fortë ligjore për punonjësit sipas rregullave të reja, ndërsa atyre që do të jenë në punë me kohë të plotë, do t’u krijohet mundësia e orareve më fleksibël sipas kërkesës.
Kthimi i kësaj reforme në ligj mund të zgjasë për disa muaj, pasi drafti duhet të kalojë disa herë në duart e ligjvënësve federalë përpara se të miratohet.