Skip to content

Vendoset cmimi i detyrueshem, ja sa do kushtojë vaji, sheqeri, orizi dhe mielli ne markete

    Bordi Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të produkteve ushqimore ka vendosur çmimet e produkteve të shportës, si miell, vaj luledielli, sheqer, oriz kokërrgjatë.

    Në mbledhjen e datës 1 Prill, Bordi vendosi që këto produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të  larta se: 104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg), 123 lekë/kg për sheqerin (1 kg), 321 lekë/litër për vajin e lulediellit, 90.5 leke/kg për miellin masiv.

    “Ky vendim hyn në fuqi në datë 05.04.2022 dhe është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet e përcaktuara në këtë vendim”. thuhet në njoftim.

    Njoftim i plotë

    Bordi i Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me shumicë/pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, i ngritur  në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, në mbledhjen e datës 1 Prill, vendosi miratimin e listës së produkteve ushqimore bazë që do të monitorohen, si më poshtë:

    Miell

    Vaj luledielli

    Sheqer

    Oriz kokërrgjatë

    Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë këto produkte.

    Gjithashtu  Bordi  i Transparencës vendosi miratimin e marzheve që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e cmimeve ndërkombëtare.

    Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) miratohen marzhet si më poshtë:

    a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të orizit kokërrgjatë, i cili paketohet në vend nga distributori, është 12.4% mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg.

    b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 4% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

    Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:

    a) Marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.7% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

    b) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.2% mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 8 lekë/kg.

    c) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

    Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet si më poshtë:

    a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 12.5% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër.

    b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.9% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.

    Për miellin masiv miratohen marzhet si më poshtë:

    a) Marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 21.5 lekë/kg.

    b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 4.6% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

    Pas analizimit të këtyre  marzheve  Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të  larta se:

    104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg)

    123 lekë/kg për sheqerin (1 kg)

    321 lekë/litër për vajin e lulediellit

    90.5 leke/kg për miellin masiv

    Ky vendim hyn në fuqi në datë 05.04.2022 dhe është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet e përcaktuara në këtë vendim./