“Shembull i parë i një budallallëku botëror”, e quajti vendimin e Kushtetueses për çështjen e Belinda Ballukut.
“Që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks i rrallë, që vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve mediatike e politike, ministrja nuk akuzohet për korrupsion!
Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir qartja antidemokratike e vendimit për pezullimin e një anëtari qeverie, e ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Kushtetueses për të marrë një vendim të thjeshtë, dhe një vendim po aq të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht, me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje, vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”, deklaroi Rama.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese, nuk e gjeti forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë shqiptare.
“U mbyt në lugën e ujit të turbullt të atyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës, i quan arsyet e mosarsyes”, tha ai referuar gjykatës.
Pas rreth 2 muajve e gjysmë ‘zvarritje’, Gjykata Kushtetuese u shpreh më 6 shkurt, për kërkesën e paraqitur nga qeveria lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila në muajin nëntor 2025 vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Duke qenë se gjyqtarët votuan 4 pro dhe 4 kundër, duke mos arritur kuorumin e nevojshëm, u rrëzua padia e qeverisë. Kështu, është rikthyer në fuqi masa e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun, e cila ishte hequr më 12 dhjetor 2025, po me verdikt të kësaj gjykate.