Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet e tij sociale një thirrje për aplikim për vendet e lira të drejtimit të sektorëve të ndryshëm në bashkitë e vendit.
Kjo thirrje vjen pas valës së dorëheqjeve të drejtorëve dhe krerëve të njësive administrative, si pasojë e ultimatumit të dhënë nga vetë kryeministri.
Rama thekson se Bashkia e Vlorës, si e para që nisi këtë proces, tashmë ndodhet në fazën e intervistave me kandidatët e interesuar.
POSTIMI I PLOTË:
Bashkitë Durrës, Shkodër, Korçë, Dibër, Fier, Lushnjë, Elbasan dhe një sërë të tjerash kanë hapur tanimë thirrjet publike për aplikime për prurje të reja në drejtimin e sektorëve të ndryshëm të veprimtarisë së tyre.
APLIKONI me kurajo dhe besim!
Vlora që nisi e para po ecën me fazën e intervistave të të interesuarve, ndërkohë që në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një strukturë e re organizative e Bashkisë Tiranë, e cila do të adoptohet edhe në bashki të tjera, për të forcuar shtyllat bazë të mirëqeverisjes vendore.
Eshtë koha që bashkitë të fuqizojnë kontributet e tyre për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.