Vëllai i Mehdi Malkajt, nga anëtar i orkestrës shtetërore në Shqipëri, në muzikant ne rruget e Greqise: Ndihem dhe jam grek

280
0

Jeta e tij mund të jetë skenari i një filmi aventurier. Banorët e Patras në Greqi, megjithëse e takojnë atë çdo ditë, ndërsa kalojnë nëpër rrugët e ngarkuara të qytetit, nuk mund ta dinë historinë e tij, por vetëm shijojnë muzikën që ai luan.

Në një intervistë në “Pelop.gr”, 68-vjeçari Bekim Malkaj ose Kostas Malkas siç është pagëzuar atje, vëllai i aktorit të njohur Mehdi Malkaj, ka rrëfyer historinë e jetës së tij. “Kush mund ta imagjinonte se ky njeri ishte anëtar i Orkestrës Shtetërore të Shqipërisë, me qendër në Tepelenë dhe se ai ishte gjithashtu përgjegjës për kinemanë e vetme në të njëjtën zonë?

Në vitin 1997, gjatë kolapsit ekonomik, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria, me gruan e tij Stelën dhe dy fëmijët, për të mbërritur në Patras”-thuhet në artikull. Fillimisht, ai punoi në ndërtim dhe në vitin 1999 u martua me gruan e tij në një martesë fetare në I.N. Shën Nikolaou dhe në të njëjtën kohë u pagëzuan si ortodoksë.

Pak më vonë, ata pagëzuan edhe fëmijët e tyre, Vasilis (atëherë 15 vjeç) dhe Maria (atëherë 8 vjeç). “Njerëzit e Patras janë shumë të mirë dhe ne i duam shumë ata! Disa na ndihmuan sikur të ishin të afërmit tanë! Patras është qyteti më i bukur! “-thotë ai. Në vitin 2010 ndërtimi u ndal, si rezultat i krizës financiare dhe Malkaj filloi të luante muzikë. Ai gjithashtu kaloi tre vjet me Bandën e Bashkisë së Patras.

Gjatë 5 viteve të fundit, ai ka luajtur muzikë në rrugët e Patras, por edhe në evente të ndryshme ku është i ftuar. Njerëzit i ofrojnë atij monedha, duke shprehur kështu simpatinë e tyre për aftësinë e tij. Kështu, 15 eurot që ai mbledh mesatarisht çdo ditë, janë burimi i vetëm për të dhe gruan e tij. Fëmijët e tyre punojnë shumë larg: Djali në Qipro si kuzhinier dhe vajza në Athinë si parukiere. Por 68-vjeçari nuk merr pension për shkak të pengesave burokratike, ndërsa nuk kanë mundur të marrin letërnjoftime greke, pavarësisht se paraqesin rregullisht deklarata tatimore.

Por kjo nuk e ndalon atë të thotë: “Unë jetoj në Greqi dhe më pëlqen, ndihem dhe jam grek. Ndërsa jam në Shqipëri, ndihem si i huaj…. Muzika e tij e preferuar është xhazi dhe romanca: “Unë luaj muzikë spanjolle, franceze, italiane dhe natyrisht pentagramin grek. Kur isha në ishullin në Ko për tre muaj si muzikant, një filozof mu afrua për të më uruar dhe me tha “Mënyra se si luan, qetëson detin!”-e mbyll rrëfimin Bekim (Kostas) Malkaj (Malkas), ndërsa gazetari që e intervistoi, Panagiotis Rigopoulos, përdor për mbylljen e artikullit fjalinë “Ndoshta në fund, kështu është jeta e tij: Një stuhi, e cila përshkohet nga një varkë e vetme, saksofoni i tij…”