Varianti i ri i Covid është përhapur edhe në Shqipëri

761
0

Drejtori i Zhvillimit të vaksinave në kompaninë COVAX në SHBA, Arban Domi, përmes një lidhje Skype në emisionin ‘Opinion’, u shpreh se varianti i ri i COVID që ka alarmuar Britaninë e Madhe mund të jetë përhapur edhe në Shqipëri. I pyetur se a na mbron vaksina nga mutacionet e ndryshme të COVID-19 ai tha se nuk dihet ende.

“Nuk dihet nëse e mbron nga mutacionet. Jam i sigurt që “Phizer” dhe “Moderna” po testojnë vaksinën e tyre në lidhje me këtë virus, sepse ato kanë mostrat dhe e vënë në kontakt me virusin e ri për të parë si reagon. Kam ngelur i befasuar nga ky alarm në Europë që nga ana virologjike dhe e kërkimit është i pavlerë, – u shpreh Domi. – Ky mutacion është që në shtator, në fillim të dhjetorit, 20 për qind e rasteve të të infektuarve në Angli ishin me këtë mutacion, tani është 60 përqind.  Jam i sigurt që ky mutacion është përhapur në të gjithë Europën dhe në Shqipëri. Gjëja pozitive është që ka rritur infektivitetin, por nuk ka ndryshuar lidhur me vdekshmërinë dhe rëndësinë e sëmundjes”, tha mjeku Arban Domi.