Varfëria ‘mbërthen’ Greqinë dhe emigrantët shqiptarë. 1 në 5 persona nuk ble dot mish

334
0

Greqia duket se po përballet me vështirësi të mëdha gjë që po reflektohet edhe tek varfëria e banorëve. Kjo situatë prek edhe mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj. Vitin e kaluar 21.1 për qind e grekëve ose më shumë se një në pesë banorë nuk ishin në gjendje të mbulonin nevojat e tyre bazë, siç është pagesa në kohë e faturave të shërbimeve dhe konsumi i rregullt i mishit.
Sipas Eurostat kjo shifër tregon se ka pasur një përmirësim të vogël duke u ulur me 1.3 për qind krahasuar me 22.4 për qind që ishte në 2016. Por varfëria mbetet në një nivel veçanërisht të lartë. Greqia u rendit vendi i dytë me nivelin më të lartë të popullsisë që nuk plotësonte dot nevojat bazike në Bashkimin Evropian. Një pjesë e madhe e popullsisë, ose 2.24 milionë njerëz rezultuan se nuk arrinin të siguronin ushqimet bazë.
Njerëzit që u përfshinë në këtë kategori janë ata që nuk janë në gjendje të përballojnë shpenzimet për të pakën katër shërbime : pagesat e faturave të shërbimeve në kohë, ngrohje të mjaftueshme në shtëpi, mbulimin e shpenzimeve ekstra , konsumimin e mishit (ose peshkut ose ekuivalenti në perime) rregullisht, një pushim njëjavor larg shtëpisë, dhe kapacitetin për të blerë një televizor, një makinë larëse, një makinë ose një telefon.
Grupi i moshave me normën më të lartë të privimit material në Greqi përfshin ata midis 20 dhe 24 vjeç, që arrijnë në 32.6 për qind, ose thënë ndryshe një në tre të rinj, edhe pse këto të dhëna u referohen të dhënave të vitit 2016. Veçanërisht, viti me normën më të lartë të privimit material në Greqi nga viti 2003 deri më 2017 (për të cilin ka të dhëna Eurostat), ishte viti 2009.