Vaksina e fruthit ka lidhje me autizmin? / Mjeku Alimehmeti: Nëse do të ishte e vërtetë…

27153
0

Fruthi rikthehet në Shqipëri! Ky informacion u konfirmua nga Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, e cila tha se në total janë 11 raste të konfirmuara nga ISHP dhe një rast i konfirmuar nga një laborator tjetër. Futja e fruthit në vendin tonë vjen pas alarmit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë se në gjithë Evropën po rriten rastet me fruth.

Tema e kësaj të enjteje, në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, kishte të bënte pikërisht me këtë sëmundje ngjitëse. Epidemiologu Ilir Alimehmeti, i cili ndodhej në studio, bëri një thirrje për sa i përket njerëzve që mendojnë se vaksinat kundër fruthit, shkaktojnë autizëm.

Ai u shpreh se arsyeja pse autizmi është në rritje, ka të bëjë me ndotjen ambientale dhe jo me vaksinat. Sipas tij, nëse kjo do të ishte e vërtetë, rënia e vaksinave do të ishte e barabartë me uljen e autizmit.

Ilir Alimehmeti: Tani mos të bëhem teknik unë, do i thërrasim logjikës së ftohtë? I gjithë brezi jonë këtë vaksinë e ka bërë. Sa ka qenë prevalenca e autizmit në brezin tonë? Ne e kemi bërë të gjithë. Një element. I dyti element, prevalenca e vaksinës, është më e lartë në zonat rurale se në zonat urbane. Autizmin e shohim në të kundërtën; është më shumë në zonat urbane sesa në zonat rurale. Dhe e treta, më e rëndësishmja, në qoftë se kjo do të ishte e vërtetë, që kjo vaksinë shkakton autizmin, kjo rënia e madhe e vaksinimit, duhet të shoqërohej me rënie të autizmit, kjo është logjika. Ndërkohë autizmin e kemi në rritje. Do të thotë që këtu nuk kemi absolutisht asnjë lidhje. E vërteta e autizmit është ndotja, ndotja ambientale.

Kjo është arsyeja pse është në zonat urbane, kjo është arsyeja pse po rritet tani, industrializimi, gjithë ai smog. Fatkeqësisht, ndotjen e zinxhirit ushqimor ne nuk jemi në gjendje ta studiojmë. Kur them ne, them shkenca. Dimë diçka mbi ajrin, dimë diçka mbi ujin, pak më e vështirë mbi dheun, por zinxhirin ushqimor e kemi shumë të vështirë, por të gjitha studimet po çojnë atje. Është tek ndotja! Mos t’i heqim fëmijës një mbrojtje të madhe, që e dimë shumë qartë që s’ka asnjë lidhje, ndërkohë që kemi këtë problemin tjetër. Por derisa ne t’i hyjmë në themel dhe ta gjejmë tamam, e të kuptojmë, mos të humbim këtë. Ky është ai ndërgjegjësimi, ky është ai informimi që ne duhet të japim. Logjikë e thjesht, vaksinat bien, autizmi shtohet./ Tv Klan