Vajza e aktorit Ilia Shyti na përloti të gjithëve, historia e saj që askush nuk do donte ta dëgjonte

658
0

Arratisja e vëllait të tij, që edhe sot jeton në SHBA, u bë edhe “Shpata e Demokleut” mbi kryet e aktorit të madh, Ilia Shyti. Karriera e tij vazhdoi sepse ai, siç tregojnë vajzat e tij dhe kolegët, punoi me trefish devotshmëri, por me pasigurinë dhe panikun se një ditë çdo gjë do të shkatërrohej. Ja si na e rrëfen atë kohë Antoneta Shyti, vajza e madhe e aktorit të mirënjohur, Ilia Shyti, e cila në ato vite ishte adoleshente dhe i ka përjetuar ato ngjarje me shumë dhimbje:

Ju vjen në mendje ndonjë ngjarje lidhur me vështirësitë që haste babai?

Kujtoj p.sh një turne të Teatrit Kombëtar me dramën “Cuca e Maleve” në Kosovë. U bënë të gjitha përgatitjet për të shkuar dhe vetëm një ditë përpara lexuan emrat e atyre që do të shkonin dhe që nuk do të shkonin. Babai im ishte hequr nga lista. Besoj se e imagjinoni trishtimin dhe dhimbjen e tij që e ndau me nënën time, me lot në sytë e të dyve, në dhomën e tyre, me zë të ulët që ne fëmijët të mos shqetësoheshim. Unë e dëgjova të tërë bisedën dhe nuk fjeta tërë natën. Me atë guximin prej vajze të re vendosa të bëja diçka dhe vajta në ministri, kërkova tek porta ministrin ose zëvendësministrin. Ky i fundit, e kujtoj shumë mirë, ka qenë Mantho Bala. Më drejton roja nga porta e pasme ku kuadrot hynin. Më tregoi se do të vinte me një makinë “Volvo” ngjyrë veje. Kur erdhi makina, i kam dalë përpara dhe shoferi mezi frenoi. Kur ata dolën vërtik nga makina me frikën se më kishin shtypur, mua më vërshuan lotët dhe e pyesja se çfarë gabimi paskësh bërë babai im, një ish-partizan, që nuk do të lejohej në Kosovë. Më ngjiti lart në zyrë, më garantoi që babai im do të shkonte në Kosovë dhe më tha që babai të nisej me një makinë e të shkonte në kufi që të arrinte trupën aty. Kështu u bë, brenda ditës babait ju bë pasaporta dhe u nis. Nuk e harroj lumturinë që babai arriti të bashkohet me kolegët, sepse e vuajti shumë këtë ngjarje. Shpeshherë, mendoni, babai bisedonte me mamanë dhe i thoshte që të mos na ushqente dëshirën për t’u martuar me oficerë ose njerëz të partisë, sepse do të vuanim. Atëherë nuk e kuptoja por më pas e kuptova arsyen e tij në këtë pikë./Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani/