Ulërima dhe sharje ndaj pushuesve, rishfaqet Mihal Kokëdhima (Video)

400
0

Mihal Kokëdhima bashkë me sjelljen dhe ulërimat e tij karakteristike janë shfaqur sërish në plazhin e Porto Palermos në Himarë. Sipas një videoje që po qarkullon në rrjetet sociale, Mihali i është sulur një grupi pushuesish që po qendronin në vendin ku kishte restorantin e prishur duke iu ulëritur me të madhe.

Mihal Kokëdhima i kërkon llogari pushuesve se përse kanë hyrë aty pa leje, ndërsa kur ata i thonë se është plazh publik, ai iu kujton se shezlonget dhe çadrat prej kashte janë të tijat.

Pushuesit i ofrojnë Mihalit edhe të paguajnë nëse ai mendon se i kanë shkaktuar probleme, por ai nuk pranon as paratë duke kërkuar vetëm largimin e tij nga gjiri që ka zaptuar.

Dy vjet më parë, Mihal Kokëdhima terrorizoi një grup pushuesish nga Spanja duke iu varur në makinë për disa kilometra pasi ata ishin larguar të pakënaqur nga restoranti i tij “Panorma”. Ai nuk mbante menu në atë restorant duke e vendosur çmimin e peshkut sipas “kokës” së pushuesit, gjë e cila nuk i eci me spanjollët duke bërë që pas atij skandali INUK-u t’i prishte edhe restorantin.