Ish-zv.drejtori i AKSHI-t Daniel Shima, i cili është denocuar si person i zhdukur nga familjarët e tij ditën e sotme në Polici nuk është person i panjohur për mediat. Emri i tij fillimisht u përmend nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj gjatë një intervistë nga arratia në korrik të vitit 2024.
Në intervistën e dhënë për Syri.Tv, Ahmetaj foli atëherë për një përgjim ambiental të kapur nga SPAK për tendera në vlerën e 43 milionë eurove ose 43 miliardë lekëve, përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Ahmetaj theksoi atëherë se AKSHI është tmerr dhe Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën.
“AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…,” tha Ahmetaj në korrik të 2024.
Familjarët e Danielit kanë deklaruar para bluve se kanë humbur kontaktet me të prej paradites së sotme. Menjëherë pas denocimit, Policia ka nisur kontrollet për gjetjen e tij.