U zgjodh përfaqësues i studentëve në Bordin e Administrimit, Marin Mema mesazh të fortë ministrisë së Arsimit: Sa te jem unë nuk ka shans që …

1556
0

Gazetari i njohur Marin Mema është përzgjedhur si përfaqësues i studentëve në Bordin e Administrimit.

Mema është përzgjedhur si përfaqësues i studentëve në 5 fakultetet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Përmes një statusi në rrjetet sociale gazetari rrëfehet mbi këtë eksperiencë. Ai shprehet se u fut në garë në momentet e fundit në një situatë ku shumë studentë kishin vendosur ta bojkotonin votimin për shkak se nuk ndiheshin të përfaqësuar nga lista paraprake e paraqitur nga Universiteti.

Teksa thekson se rezultati e nxori fitues me mbi 70 përqind të votave, Marini deklaron se do të kundërshtojë çdo lloj abuzimi të mundshëm, ndonëse është pakicë përballë të emëruarve nga ministria e Arsimit.

“E di që jam në pakicë ballë të emëruarve nga Ministria e Arsimit megjithatë kjo nuk do tē më pengojë të kundërshtoj çdo tentativë për abuzim, çdo shkelje e gjithçka tjetër që shkon kundër interesit të studentëve. Nuk do të ketë asnjë shans! Asnjë! E në çdo tentativë do të reagoj ashtu siç nuk ka ndodhur më parë!”, shprehet gazetari mes të tjerash.

E plotë nga Marin Mema:

Kur një grup studentësh nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit më kërkuan të garoja si përfaqësues i tyre në zgjedhjet për Bordin e Administrimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës e mirëprita sfidën. E mirëprita sepse isha propozimi i tyre dhe i askujt tjetër. Kam hyrë në garë momentet e fundit kur shumë studentë patën vendosur të bojkotonin procesin e votimit pasi nuk ndiheshin të përfaqësuar nga lista paraprake e paraqitur nga Universiteti. Megjithatë rezultati përfundimtar më nxorri fitues me mbi 70 përqind të votave në të pestë fakultetet përbërëse të këtij Universiteti. Unë ju falenderoj të gjithëve për besimin e mbështetjen! Ju siguroj që do të jem zëri juaj dhe nuk do të tërhiqem nga mbrojtja e interesave të gjithësecilit prej jush! E di që jam në pakicë ballë të emëruarve nga Ministria e Arsimit megjithatë kjo nuk do tē më pengojë të kundërshtoj çdo tentativë për abuzim, çdo shkelje e gjithçka tjetër që shkon kundër interesit të studentëve. Nuk do të ketë asnjë shans! Asnjë! E në çdo tentativë do të reagoj ashtu siç nuk ka ndodhur më parë! Do të doja që të gjithë antarët të ishin propozim i studentëve, megjithatë kjo nuk më ndalon të jem përfaqësuesi i tyre edhe i vetëm!!!

Menjëherë pas përfundimit të sezonit të provimeve do të bëj një takim të hapur me të gjithë studentët e UBT për të ndarë me ta çdo shqetësim që kanë. Një takim që nuk do të jetë i izoluar, por do të zhvillohet sa më shpesh të jetë e mundur !

Përsëris unë jam përfaqësues i propozuar dhe zgjedhur i studentëve e kështu do të jetë për sa kohë të jem pjesë e bordit. Studentët të parët! Koha për ndryshim sepse Shqipërinë mund ta çojë përpara vetëm një arsim cilësor jo vetëm me fjalë, por me vepra, ndershmëri e përkushtim!