Sot “Shqiptarja.com” ka mundur të sigurojë ekskluzivisht dosjen e prokurorisë së Vlorës, duke zbardhur të gjitha dëshmitë e personave protagonistë në këtë ngjarje dhe aspak të denjë për mikpritjen shqiptare.
“…Ne u ulëm duke pritur për një tavolinë dhe duke parë pamjen. 15 minuta më pas, shoqëruesi na tha se kishim një tavolinë për 7 persona…Babai jonë shkoi me pronarin e restorantit, i cili kishte veshur një bluzë blu për të parë peshkun, pastaj u kthye dhe kamerieri erdhi për të marrë porosinë….dhe pastaj shoqëruesi na shpjegoi se kamerieri i kishte këshilluar të porosisnin më pak peshk…ne ramë dakord ku nga 7 e kthyem porosinë në 5, kamarieri u largua me porosinë duke përfshirë një sallatë me domate, dy djathë të skuqur dhe dy racione patate të skuqura. Pastaj pronari erdhi menjëherë nga kuzhina duke bërtitur guidës në gjuhën shqipe dhe goditi me grushte tavolinën…” – ka deklaruar vajza e biznesmenit spanjoll Eugenio Galdon. Aktualisht Mihal Kokëdhima ndodhet në burgun e Vlorës pasi gjykata e këtij qyteti caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “Shkatërrimit të pronës”, “Dëmtime me dashje” dhe “Kanosje”.
Kokëdhima është ndaluar fillimisht në spitalin e Sarandës, ku po mjekonte dorën e gjakosur. Ndërkohë arrestimi i tij nga policia është kryer në 15 gusht në orën 23:30.
Në dëshmitë që ka siguruar “Shqiptarja.com” rezulton se Mihal Kokëdhima, pas konfliktit fizik me djalin e guidës Olgent Saraçi, e ka kapur këtë të fundit për fyti dhe e ka qëlluar me grusht. Të njëjtën gjë Kokëdhima ka bërë edhe me djalin e biznesmenit spanjoll. Sipas dëshmisë së shoferit të furgonit më pas, Kokëdhima ka thërritur djalin dhe kamarierët që të shkonin të merrnin thikat në kuzhinë, dhe papritur, shoferi, djali i guidës dhe turistët spanjollë janë gjendur të rrethuar nga njerëzit me thika. Ata shumë shpejt kanë hipur në furgon dhe kanë filluar të largohen, por personat me thikë dhe vetë Kokëdhima kanë filluar të ndjekin furgonin dhe ta qëllojnë atë me sende të forta. Për këtë ngjarje është pyetur shoferi Erjon Dike, djali i guidës Olgent Saraçi, vajza e biznesmenit spanjoll, Kristina Romero, biznesmeni spanjoll Eugenio Gal Galdon, djali i tij Jaime Romero dhe Mihal Kokëdhima.
Dëshmia e shoferit: Kokëdhima, djali e kamerierët na rrethuan me thika kuzhine në dorë
Nga
përmbajtja e materialit hetimor rezulton se më datë 15 gusht 2019 është
marrë njoftim nga salla operative, se në Bar-Restorant “Panorma” në
“Porto Palermo” ka pasur një konflikt fizik ndërmjet disa turistëve
spanjollë dhe pronarit të lokalit, Mihal Kokëdhima. Është shkuar në
vendngjarje, ku është konstatuar se Mihal Kokëdhima, pas përplasjes
fizike me guidën e turistëve spanjoll që kanë qenë në mjet, ishte
shoqëruar në Spitalin Sarandës, ku po merrte mjekim. Në kuadër të
zbardhjes se rrethanave të kësaj ngjarje, policia dhe prokuroria e
Vlorës kanë administruar kallëzimin e shoferit të furgonit ku udhëtonin
turistët spanjollë.
Erjon Dike, para oficerëve dhe prokurorit të Vlorës ka deklaruar se:
“…Ditën e ngjarjes jam caktuar nga kompania ku punoj të transportoja një familje spanjolle, ku unë isha pjesë e këtij shërbimi si shofer ndërsa së bashku me ne ishte dhe një djalë tjetër, që bënte guidën, bisedonte në anglisht me familjen spanjolle. …shkojmë të gjithë për drekë në një restorant peshku të quajtur Panorma… Ulemi për të porositur… Pronari i lokalit na ftoi për të zgjedhur peshkun dhe shkoi guida me kryefamiljarin spanjoll…Pasi erdhën nga kuzhina, zgjodhën peshkun dhe u ulën në tavolinë. Në atë kohë vjen kamarieri për të marrë porosinë tjetër dhe duke porositur i thamë atij se kishim porositur 7 peshq dhe ai na sugjeroi se janë shumë dhe mirë do ishte të merrnit një për dy veta …Ne ramë dakord. Në atë moment, kamarieri shkoi dhe i tha pronarit të lokalit që nga shtatë peshq do t’u çojmë pesë. Në atë moment pronari vjen duke bërtitur dhe duke goditur tavolinën me grusht dhe thotë se unë ju kam vënë peshkun në zgarë…Familja spanjolle u tmerrua nga sjellja e pronarit, kërkoi që të iknim… Duke ngjitur shkallët për në parkim, vjen pronari me vrap dhe kap prej fyti djalin e guidës, dhe e goditi me grusht në fytyrë. Në atë moment futet djali i kryefamiljarit spanjoll për t’i ndarë nga sherri, por pronari goditi dhe djalin spanjoll. Në atë moment, futet edhe kryefamiljari duke u goditur me grusht në fytyrë nga pronari. Unë kapa prej mesi pronarin për të neutralizuar veprimet goditëse, si dhe duke u thënë njerëzve të futeshin në fugon. Në atë moment, pronari u thoshte kamarierëve të merrnin thikat në kuzhinë dhe të vinin tek ne që po konfliktoheshim. Pasi u futën njerëzit në furgon, unë lashë pronarin dhe hyra direkt në fugon, ku brenda kisha gjithë grupin e turistëve. Në atë moment u afruan të gjithë kamarierët bashkë me djalin e pronarit me thika nëpër duar duke na goditur makinën nga jashtë…. Pronari u shtri para makinës… u çua dhe hipi në kofano duke goditur xhamin me mjete të forta dhe duke na kërcënuar me jetë. Unë i flisja që të largohej nga mjeti, por ai nuk largohej dhe qëndronte gjatë ecjes së makinës mbi kofano…Ne nuk ndalonim dot pasi na ndiqte djali i pronarit me makinën e tij nga pas dhe kishim frikë për jetën sepse ata ishin të gjithë me thika…Pas një distance rreth 2-3 km ne ndaluam që pronari të zbriste nga kofano e mjetit. Pasi ne ndaluam, ai zbriti nga mjeti dhe ne vazhduam rrugën për në Sarandë…”.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë është marrë kallëzim dhe deklarim i djaloshit që bënte guidën Olgent Saraçi, i cili po ashtu në kallëzimin e tij ka deklaruar të njëjtat fakte thelbësore sikurse shoferi Erjon Dike, duke theksuar shprehjet e pahijshme dhe kërcënuese sipas tij të thëna prej pronarit të lokalit Mihal Kokëdhima.
Kokëdhima: Donin të iknin pa paguar
Për këtë ngjarje rëndë është pyetur dhe Mihal Kokëdhima i cili para grupit hetimor ka deklaruar se:“…në lokalin tim kanë ardhur tetë persona për të ngrënë drekë, u bashkova dy tavolina dhe i ula, shkova vetë dhe u solla menu dhe u them se ka peshk dhe duhet të shkoni në kuzhinë, erdhën dy persona nga tavolina e tyre dhe porositën 5 koce dhe 3 levrek, dy sallata…në syrin e tyre u përgatit peshku dhe u vendos në zgarë, në këtë kohë kamarierit i them të shkojë të marrë pijet, kaluan dhjetë minuta nga porosia, shikoj tavolinën nuk kishte njeri, lëviza për të parë se ku ishin dhe ata po iknin tek parkimi, u them se ku po ikni se keni dhënë porosinë, paguani porosinë dhe mund të ikni, ndërkohë shoferi më zuri në grykë dhe më mbante të mos lëvizja, gjithë pasagjerët u futën në furgon dhe ai më liroi dhe u fut në fugon në vendin e shoferit. Dola përballë makinës, i bëj foto targës dhe marr policinë në këtë moment dhe i them shoferit sa të vijë policia nuk do ikësh, ai i futi marshin makinës dhe më merr përpara dhe unë vendos duart tek kofano e makinës, më mori zvarrë, unë po rrija tek kofano dhe i thosha të ndalonte, ndërkohë pasagjeri në vend të parë i thoshte të ndalonte dhe ai ndërkohë po filmonte, unë godisja xhamin me grushte që të mbahesha, ai më liroi në Qeparo, aty kam rënë në tokë para një lokali dhe ai iku dhe ka ardhur djali me nusen dhe më kanë çuar në një spital në Himarë, atje më kanë mjekuar dhe më kanë çuar në spitalin Sarandë…”.
Në vazhdën e hetimeve që ka kryer prokuroria dhe policia e Vlorës për këtë ngjarje është marrë në pyetje dhe vajza e biznesmenit spanjoll, Kristina Romero, e cila ka deklaruar se:“…në orën 13:30, ne përfunduam vizitën dhe u ulëm në një bar për të pritur shoferin, i kërkuam shoqëruesit një vend për të ngrënë drekë dhe ata na çuan në “Porto Palermo”. Ne u ulëm duke pritur për një tavolinë dhe duke parë pamjen.
15 minuta më pas, shoqëruesi na tha se kishim një tavolinë për 7 persona…Babai jonë shkoi me pronarin e restorantit, i cili kishte veshur një bluzë blu për të parë peshkun, pastaj u kthye dhe kamerieri erdhi për të marrë porosinë….dhe pastaj shoqëruesi na shpjegoi se kamerieri i kishte këshilluar të porosisnin më pak peshk…ne ramë dakord, kamarieri u largua me porosinë duke përfshirë një sallatë me domate, dy djathë të skuqur dhe dy racione patate të skuqura. Pastaj pronari erdhi menjëherë nga kuzhina duke bërtitur guidës në gjuhën shqipe dhe goditi me grushte tavolinën…Pastaj guida na shpjegoi se çfarë kishte ndodhur dhe na rekomandoi të kërkonim një vend tjetër…ne ramë dakord me vendimin e tij dhe e ndoqëm shoqëruesin jashtë restorantit, ku ndodhej i parkuar fugoni…unë dëgjova një burrë që ishte duke bërtitur dhe u ktheva mbrapa dhe pashë pronarin e lokalit, personi i cili ishte me bluzë blu po vinte drejt shkallëve për tek shoqëruesi dhe më pas e ka kapur shoqëruesin nga bluzja dhe e shtyu drejt fugonit të parkuar aty. Më pas vëllai im, i cili quhet Jaime, u përpoq t’i ndante dhe ka mbajtur personin me bluzë blu…. Më pas shoferi u ngjit nga shkallët dhe gjithashtu u përpoq t’i ndante shoqëruesin dhe pronarin e lokalit sepse ai ishte ende duke mbajtur djalin e guidës nga bluza. Më pas shoferi ndërhyri duke mbajtur personin me bluzë blu, por ai ka goditur Jaime në pjesën e brinjëve me grushte, kështu që babi im ndërhyri duke u përpjekur t’i ndante ata. Eugenio, u godit me grushte në pjesën e gojës dhe në brinjë. Në këtë moment, personi me bluzë blu e kishte lëshuar guidën pasi po mbahej nga shoferi, Eugenio dhe Jaime e panë se shoferi po ja dilte mbanë për t’i ndarë dhe ata u larguan të dy.
Më pas pronari filloi të bërtiste në gjuhën shqipe dhe një grup njerëzish, shumica burra dhe shumë të fuqishëm u shfaqën aty… shoqëruesi jonë na tha të futeshim në furgon…shoqëruesi arriti të futej në fugon dhe të mbyllte derën, edhe shoferi gjithashtu…Pronari në këtë moment u shtri para fugonit dhe pjesa tjetër e njerëzve bërtisnin dhe godisnin fugonin. Më pas pronari u ngrit dhe u përpoq të hapte derën, ai ishte së bashku me një djalë të ri duke u përpjekur të hapte derën e shoferit. Ne pamë se nuk kishte njeri përpara fugonit dhe i bërtitëm shoferit që nisu…Në këtë çast, një burrë kërceu përpara fugonit duke ardhur nga ana e majtë, pas pak sekondash unë njoha pronarin, ai ishte personi i cili kishte hipur në xhamin e parë të makinës, ai godiste xhamin dhe vazhdonte të bërtiste. Mbas pak sekondash shoferi ndaloi në anë të rrugës dhe bërtiti në gjuhën shqipe “…largohu…”, por ai vazhdonte të godiste xhamin e parë me grushte në pjesën ku guida ishte ulur, ne ishim shumë të frikësuar dhe bërtisnim, në këtë moment shoferi na tha filmojeni. Më pas unë kam filmuar gjithçka me telefonin tim, pronari vazhdoi të godiste xhamin derisa arriti ta thyente atë…Mbasi ai arriti të thyente xhamin me dorën e majtë, ai u mbajt nga kroskoti dhe filloi të godiste xhamin me dorën e djathë, përpara kësaj ai bëri një telefonatë…Ai pastaj e përdori telefonin për të goditur xhamin me dorën e djathë, ai dëmtoi veten, pra duart dhe gjaku spërkati xhamin. Shoferi kishte bërë shumë ndalesa dhe u përpoq ta detyronte personin të zbriste nga makina. Më pas guida u frikësua shumë dhe pronari vazhdonte të godiste xhamin, guida e goditi në dorë disa herë pasi dora ishte në makinë. Në një moment shoferi ka ndaluar duke menduar se pronari kishte rënë dakord të largohej, por ai vazhdonte të qëndronte atje dhe të bërtiste…Mbas kësaj nuk mbaj mend, por është e gjitha në video që ju kam dorëzuar.
Për ngjarjen që tronditi shqiptarët dhe mbarë Europën është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale Spanjolli Eugenio Galdon, i cili deklaroi të njëjtat fakte thelbësore sikurse edhe vajza e tij Kristina Romero. Po kështu është pyetur dhe djali i biznesmenit Eugenio Galdon, Jaime Romero, i cili po ashtu deklaroi të njëjtat fakte thelbësore sikurse edhe Kristina Romero dhe Eugenio Galdon.
B.K./Shqiptarja.com