U nis për Angli me vetëm 600 paund, tani 39-vjeçari zotëron kompaninë 2 milionë paund

611
0

Duke ëndërruar e shpresuar për një jetë më të mirë, udhëtoi për në Angli me vetëm 600 paund në llogarinë e tij.

Por tani që kanë kaluar plot 15 vite nga ajo ditë, 39-vjeçari Rupesh Thomas, biznesmen është një milioner. Thomas zotëron një biznes prej 2 milionë paund të prodhimit të çajit “chai”, duke furnizuar dyqanet luksoze të “Harvey Nichols”.

“Daily Mail” shkruan se ai është rritur në Kerala të Indisë dhe ishte i obsesionuar me Anglinë. Ai ishte gjithashtu i vendosur për të zbuluar nëse rrugët e Londrës ishin apo jo të shtruar me ar.

“Babai im udhëtonte me punën e tij. Ai kishte një fotografi të Londrës dhe unë e pashë atë. Doja me çdo kusht të isha aty. Ëndërroja për një jetë më të mirë. E për mua, ajo jetë ishte në Angli”, ka thënë Rupesh.

Në moshën 23-vjeçare Thomas shiti motoçikletën e tij “Yamaha” për 300 paund, mori disa para nga babai i tij dhe mori rrugën nga India për Londër në vitin 2002.

Ditën kur mbërriti në Statford, ai filloi punë në një nga restorantet e “McDonad’s”. “Paguhesha 4 paund në orë. Ishte punë e vështirë, por gjithmonë buzëqeshja. Shihja biznesmenë dhe më bëri të kuptoja që kjo ishte ajo që unë në të vërtetë doja të bëja,” shprehet ai për “Daily Mail”.

Pas disa javësh Rupesh gjeti një punë të dytë si kujdestar para se të bëhej agjent shitjesh derë më derë në vitin 2003. Shumë shpejt Thomas u kthye në shitësin më të mirë të kompanisë dhe u ngrit në detyrë.

Gjatë punës ai njohu bashkëshorten e tij të ardhshme Alexandra, tani 37 vjeçe. U martuan në 2007-n në vendlindjet e tyre, Francë dhe Kerala. Në vitin 2009 çifti bleu shtëpinë e parë. Ata kanë një djalë 7 vjeç, Kian.

Ndërkohë në vitin 2015 me 150 mijë paund në llogarinë e tij, ai vendosi t’i investonte paratë për të krijuar “Tuk Tuk Chai”, një investim që padyshim iu kthye.

“Gruaja ime Alexandra më frymëzoi pasi ajo e adhuron çajin “chai”. Kur ishim në Indi ajo pinte më shumë se 10 gota në ditë. Në Angli e prodhonin më parë një çaj të tillë por ishte me shumë sheqer dhe nuk përbëhej nga gjethe, kështu që më lindi ideja nëse mund të nisja ta prodhoja,” tha Rupesh

Sot sipërmarrësi indian zotëron një pronë prej 1 milion paund në Wimbledon dhe një shtëpi të dytë me vlerë rreth 350 mijë paund në Croydon.