U kritikua nga opozita, Meloni shpërndan videon e Ramës: Përgjigja e duhur për të majtën italiane

194
0

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka shpërndarë një video të Edi Ramës, ku ai flet lidhur me marrëveshjen për emigrantët, pas pretendimeve se e majta italiane (PD) po kërkon përjashtimin e PS-së nga Partitë Socialiste Europiane.

“E majta italiane po tenton të përjashtojë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nga Partia Socialiste Europiane për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë. Dëgjoni përgjigjen e tij efektive”, ka shkruar Meloni në Facebook krahas videos.

Kujtojmë se kryeministri Rama nga Parisi ku ndodhet për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, dha një intervistë për televizionin italian RETE4 dhe tha se kjo marrëveshje është hartuar nga një grup ekspertësh të të dyja vendeve dhe se respekton konventat ndërkombërare.

“Pikërisht sepse edhe ne duam të respektojmë dinjitetin e këtyre njerëzve, ne ishim shumë të kujdesshëm me numrat dhe modalitetet. Dhe më pas ishte një grup ekspertësh italianë dhe shqiptarë që punuan për marrëveshjen nga të gjitha këndvështrimet dhe gjithashtu nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare.Ne e dimë se jemi shumë të vegjël për të qenë zgjidhja, por ne duhet të japim një dorë. Nderojmë veten dhe nderojmë këtë miqësi të thellë me Italinë”, deklaroi Rama.

Marrëveshja e firmosur mes Kryeministrit Rama dhe Kryeminsitres italiane Giorgia Meloni është kritikuar ashpër qoftë nga opozita në Shqipëri edhe ajo në Itali.