Shpesh dëgjojmë se zemra e nënës nuk duron, por historia e Sofisë në “Ka Një Mesazh Për Ty” është një dëshmi force dhe kuraje të papërfytyrueshme. Në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ajo vjen me një dhimbje shumë të madhe sepse nëna e saj ka pak muaj që është ndarë nga jeta. Një jetë e gjatë, plot 105 vite e njëkohësisht të mbushur me shumë tragjedi e dhimbje.
11 fëmijë pati nëna e Sofisë, por pesë humbën jetën duke i lënë një dhimbje të papërshkrueshme, por që ajo nuk iu dorëzua kurrë.
Sofia: Nëna ime ka 3 muaj e gjysmë që është ndarë nga jeta.
Ardit Gjebrea: Në moshën?
Sofia: Në moshën 105 vjeç.
Ardit Gjebrea: Por nuk ka pasur një jetë të lehtë.
Sofia: Por ka pasur një jetë me shumë dhimbje që atë dhimbje është thënë që edhe gurit po t’ia japësh, do të çahet, kurse nëna ime qëndroi e fortë.
Ardit Gjebrea: Çfarë ka ndodhur? Sa fëmijë jeni ju?
Sofia: Prindërit e mi kanë lindur 11 fëmijë. Unë jam e 11-ta, e vogla. Fëmijët e parë kanë qenë dy vajza, pastaj tre djem. Nga këta fëmijët e parë, vajza e dytë ka vdekur në moshën 7 vjeç dhe për atë kohë, para viteve ‘50 nuk u mor vesh fare nga se vdiq.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë ku ju jetonit?
Sofia: Ne jetonim në një fshat malor të Beratit. E merr rrethi i Beratit, por është në kufi me Mallakastrën dhe Tepelenën. Nëna ime ishte aty me tre djem. Një ditë korriku, nëna kishte dërguar dy djemtë e saj, njëri ishte 6 vjeç dhe tjetri 9, bashkë me një djalë pak më të rritur nga lagjja, për të kullotur bagëtitë që kishin në atë kohë. Fillon një shi me shumë rrëmbim dhe nëna ikën me vrap te lumi se kishin një lumë që të priste fëmijët se filloi shiu.
Ardit Gjebrea: Po pse, fëmijët kalonin lumin për të kullotur bagëtitë?
Sofia: Po. Edhe fëmijët e panë që filloi shiu dhe i morën bagëtitë dhe erdhën drejt lumit, por kur arrijnë aty, të tre këta fëmijët, edhe ai që ishte më i rritur, që ishte 11, i mori lumi. Kur nëna arrin aty, të vetmen gjë që pa ishte qeni që e kishin me vete dhe i hidhet qeni në kraharor dhe qante, ulërinte. Aty e kuptoi që fëmijët nuk ishin dhe tenton që të hidhet edhe vetë, por në të njëjtën kohë arrijnë edhe familjarët e djalit tjetër dhe ata e kanë mbajtur, nuk e kanë lejuar që të hidhej në lumë. Nëse kemi dëgjuar fjalën që dikush u çmend nga dhimbja, nëna ime e ka përjetuar. Nuk ka lënë flokë në kokë, i ka shkulur flokët nga dhimbja, derisa shkoi lajmi vjen e ëma dhe i thotë për ta ngushëlluar “mos qaj se ja tek e ke djalin”, kishte një djalë tjetër 6-muajsh. Nëna, nga dhimbja e fortë thotë “nuk e dua as këtë” dhe e shtyn me dorë. Sikur Zoti, e dëgjoi, nuk e di, bëri mëkat që e tha këtë fjalë. Ky djalë kur shkon 8 vjeç, është paralizuar dhe ka jetuar 10 vjet i paralizuar. Pas 10 vjetësh, kur edhe unë atëherë kam qenë 3-4 vjeç, ka rënë epidemia e fruthit dhe vëllai ka ikur nga fruthi. Nëna ime këtë djalë nuk e ka varrosur sepse ishte edhe vetë shumë sëmurë, gati për vdekje.
Pas katër vdekjeve, nëna solli në jetë tri vajzat, më pas dy djemtë e në fund Sofinë. Me djemtë zemra nisi t’i ngrohej sërish nga pak dhe të përjetonte pak gëzim, por një tjetër tragjedi do të pllakoste.
Sofia: Neve na ikën nga jeta motra 34 vjeçe që edhe unë e kam përjetuar jashtë mase sepse ajo më ka rritur dhe e kisha si nënë të dytë. Nëna ime u tregua shumë e fortë edhe për këtë gjë. Nëna ime ka jetuar e lumtur vetëm 30 vitet e fundit.