Turp! Xheison, e di zemër, sa fiton Paria e ‘Rolling Hills-it’ me qokat e lotëve të tu?!

3034
0

I dashur Xheis!

Ti fëmija mrekulli që ke rrëmbyer zemrat dhe mendjet e të gjithë Shqipërisë. Ti fëmija i bukur, i dashur, i ëmbël, mjaltë që na ke bërë të gjithëve për vete. Ti që me con disa herë në ditë në instagram për të qetësuar pakëz sytë dhe mendjen me të folurën tënde të bukur dhe me dockën tënde të shkruar me stilolpas blu, për të mos harruar pyetjen e skenarit. Ti që më kujton fëmijërinë time, kur i thoja mamit tim, njëlloj si ti, ‘Tali ta tate e tomë’ në përpjekje për t’i thënë ‘kali ka katër këmbë’.

U lumturova pa mase që Paria e Tiranës, pasi e investoi mrekullisht talentin tënd që ta dhuroi Zoti dhe barku që të solli ne jetë, vendosën të të japin një shtëpi dhe të bëhesh i lumtur. Më vjen mirë që Paria e Tiranës të ktheu mbrapsh një pjesë shumë të vogël të asaj që fitoi prej teje dhe famës tënde të shpejtë. Nuk ka asnjë të keqe që ata e bënë një të mirë. Nuk ka asnjë të keqe që na bënë të gjithëve për të qarë. Asgjë të keqe nuk ka që bënë për të qarë mijëra nëna e baballarë të tjerë të cilët i kanë fëmijët po aq të bukur e të talentuar si ti, por që nuk u bie fati të dalin në tv dhe të bëhen pjesë e përkëdheljeve të Parisë.

A e di Xhejson?!

Ti do të rritesh një ditë dhe do të bëhesh djalë i madh. U bëfsh njëqind vjec. Uroj, o fëmija mrekulli, që kur të rritesh të të bien në dorë këto rreshta që kam shkruar dhe të kujtosh se ne nuk e urrejmë teta Altetën, as xhaxhi Erin, as teta Verën, as Parinë e Tiranës që I bëjnë qoka njëri tjetrit në kulmin e audiencës me lotët e tu. Ne e duam cdo punë të mirë dhe gjithcka e fut gëzimin në shpirtin e fëmijëve.

Por, a të ka thënë teta Alteta o Xhejs, sa kanë kushtuar ato lotët e tu kur hyre në shtëpinë e re?! A të ka thënë teta Alteta që i gjithë emocioni që prodhuan lotët e syckave të tu të bukur shkuan për llogari të xhaxhi Erit dhe të Parisë së Tiranës që fiton miliarda prej firmave të tij?! A e di ti zemër e vogel sa fëmijë bredhin kazanëve të plehrave të Shqipërisë sepse Paria e Tiranës ka skllavëruar e varfëruar prindërit e tyre dhe i ka lënë rrugëvë të papunë si qentë?! A e di ti Xhejson se ka vdekur një fëmijë dukë mbledhur plehërat, sepse nuk kishte bukë për të ngrënë dhe kryetari i Bashkisë e ka mbyllur dosjen e hetimeve për atë fëmijë që nuk e njihte njeri?!

A e di ti zemër se ai fëmijë vdiq i mbuluar nga plehërat dhe fadromat e Parisë që marrin lejet nga xhaxhi Eri i Bashkisë tek xhirollogaria politike e të cilt u derdhën sonte të gjitha pikat e lotëve të tu?! A e di ti zemër e vogël sa beton është hedhur mbi mushkëritë e fëmijëve të Tiranës, me lejen dhe me firmën e xhaxhi Erit, vetëm që Paria e Tiranës të shtojë miliardat dhe kullat e saj?! A e di ti Xhejs, sa prindër fëmijësh zbulojnë cdo ditë kancerin në gjakun dhe në mushkëritë e tyre prej ndotjes që ka Tirana e cmendur e xhaxhi Erit?!

A e di ti zemër e vogël Xhejs, sa miliarda fiton Paria e Ferrit në vit, vetëm duke shkatërruar jetët e dhjetëra mijëra prindërve të fëmijëve të mrekullueshëm si ti?! A të ka thënë teta Alteta o zemra e vogël, sa e blen xhaxhi Eri një pishë në Tiranë?! A të ka thënë teta Alteta o Xhejs, kur ishe i vogël një fëmijë mrekulli, se shtëpia që të ka dhënë ty Paria e Ferrit të Tiranës kushton vetëm tetë pisha fidanë, nga ato që mbjell xhaxhi Erin ë pyllin orbital?!

A e di ti zemër e vogël sa fëmijë të vegjël dalin më leucemi nga kanceri qe e ndot Tiranën cdo ditë, për llogari të fitimeve të parisë qe jeton ne ‘Rolling Hills’?! A e di ti i dashur Xhejs, sa njerëz ka bindur teta Alteta dhe emisioni i saj sonte me lotët e tu se xhaxhi Eri është burrë i mirë dhe se njerëzit duhet ta votojnë prapë?! A e di ti zemër se sa para ndan Paria e Tiranës, vetëm me një firmë të xhaxhi Erit nëse atë e votojnë përsëri?! A e di ti fëmija mrekulli sa kushtojnë ato lotët që rrodhën aq dhimbshëm nga sytë e tu të bukur?! Të dhanë një shtëpi o mrekulli dhe ta gëzosh ti dhe familja që të rriti ty.

Por kur të rritesh Xhejs, bëje vetë llogarinë dhe kuptoje vetë filmin që e luajti paria e ferrit me lotët e tu. Bëje vetë llogarinë, zemër e vogël sa fëmijë shqiptarë kanë një fëmijëri prej kafshe, sepse prindërit e tyre nuk kanë mundur të arratisen dhe t’i shpëtojnë prej një vendi si ky. Të shpëtojnë prej atyre që të dhanë shtëpinë ty?! Prej një vendi ku paria e tij shtyp, sundon dhe vjedh pa mëshirë gjithcka u del në shteg, dhe një herë në vit, i grumbullojnë lotët e miletit të lebetisur, i mbledhin lotët e skllevërve në një kusi, e kazan dhe lajnë mëkatet e Parisë duke shpërndarë pikla mikroskopike prej gjakut që i kanë pirë të gjithë Shqipërisë!

Kur të rritesh Xhejs, i lexon këto fjalë dhe e kupton se sa fitoi Paria me talentin dhe lotët e tu! Zoti të bekoftë o mrekulli! Kreshnik Osmani /Puls7